Partia Socialiste nisi punën për zgjedhjet e ardhshme vendore, që zhvillohen vitin e ardhshëm. Me zgjedhjen e kryetarëve të degëve në të gjithë vendin nis procesi. Kryeministri Edi Rama tha se partia do të hapet për më të mirët dhe kandidaturat do të përballen live.
“Kongres i hapi rrugë një procesi të ri dhe shumë të domosdoshëm për PS-në për të hyrë në zgjedhjet e reja për drejtuesit e partisë. Fillimisht në të 61 bashkitë e vendit dhe më pas në të gjitha njësitë administrative. Ky është një proces i cili i jep mundësi të gjithë anëtarësisë, por edhe simpatizantëve të PS-së, që të përfshihen në zgjedhjen e drejtuesve të rinj të partisë, qoftë duke propozuar kandidatura edhe pa qenë pjesë e asamblesë së partisë, qoftë duke avancuar kandidaturën vetjake në funksion të ambicies për ta drejtuar PS-në.
Procesi do të garantojë që të gjithë kandidatët për drejtimin e PS-së në cdo bashki, të kalojnë përmes një rruge e cila faktikisht përvec se garanton hapjen e partisë, mundëson vlerësimin e cdo kandidature. Kryesia ka ngritur një komision të posaçëm zgjedhor për këtë proces dhe do të mbyllet në fund të qershorit, në fillim të korrikut bëhet miratimi i kandidatëve fitues. Komisioni do të prekë të gjithë territorin” tha Rama.