“Ne mbetemi të bashkuar në vendimin tonë se Presidenti Putin nuk duhet të fitojë këtë luftë kundër Ukrainës”.
Kjo ishte deklarata përfundimtare e video-telefonatës mes liderëve të G7-ës, të cilët janë zotuar të rrisin kostot për presidentin rus Vladimir Putin me sanksione të reja.
Sipas udhëheqësve, ata i detyrohen për këtë, kujtimit të atyre që luftuan për lirinë në Luftën e Dytë Botërore.
“Të vazhdojmë të luftojmë për të sot, për popullin e Ukrainës, Evropën dhe komunitetin global”, shkruhet më tej në deklaratë.
Forumi i “të Shtatëve” vendosi gjithashtu që të vazhdohej me ndihmën ushtarake për Kiev-in zyrtar.
“Ne do të vazhdojmë ndihmën tonë aktuale ushtarake për forcat e armatosura ukrainase, do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e rrjeteve të saj kundër sulmeve kibernetike dhe do të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, duke përfshirë sigurinë e informacionit”, vijon deklarata.
Për sa i përket bllokadës ruse të eksporteve të drithërave, G7 u shpreh se lufta e presidentit Putin kundër Ukrainës po e vë sigurinë globale të ushqimit nën “stres të rëndë”.
Së bashku me Kombet e Bashkuara, Grupi i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund bllokadës dhe të gjitha aktiviteteve të tjera që pengojnë prodhimin dhe eksportin e ushqimit të Ukrainës.
Kjo, në përputhje me angazhimet e saj ndërkombëtare.
“Nëse nuk ndodh, kjo do të shihet si një sulm ndaj furnizimeve globale të ushqimit”, përmbylli qëndrimin Grupi i të Shtatëve.