Demokratët po përgatiten për të votuar këtë javë në Senat një projektligj, që do ta bënte të drejtën e abortit pjesë të ligjit federal, pas rrjedhjes në shtyp të një dokumenti të Gjykatës së Lartë, ku sinjalizohet se do të rrëzohet një vendim i vitit 1973, që legalizoi abortin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, legjislacioni pritet të bllokohet nga republikanët në Senat.
Ligjit federal që siguron të drejtën themelore për abort duket se po i vjen fundi në Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar rrodhi në shtyp një dokument i Gjykatës së Lartë, ku pasqyrohej një opinion jo përfundimtar. Deri më tani, ky dokument vazhdon të mbështetet nga shumica konservatore e anëtarëve të gjykatës për të rrëzuar vendimin e marrë për çështjen “Roe kundër Wade” që legalizoi abortin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Pa këtë vendim, çështja lihet në dorën e shteteve individuale. Kundërshtarët e abortit thonë se ndalimi reflekton vullnetin e votuesve.
“Çdo shtet ka pikëpamje të ndryshme lidhur me kufizimet për abortin. Në Arkansas, është politikë e shtetit tonë që të mbrojmë jetën e të palindurit. Dhe nëse Roe kundër Wade, përmbyset, ne do të kemi një ligj që do të mbrojë jetën e të palindurit”, tha guvernatori republikan i Arkansasit, Asa Hutchinson.
Betejat ideologjike janë zhvilluar gjatë pesë dekadave pas vendimit të vitit 1973 për çështjen “Roe kundër Wade”, si dhe për çështjen pasuese “Planned Parenthood kundër Casey”, të cilat u bënë tema të nxehta gjatë proceseve të konfirmimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që i konsideruan këto vendime si precedentë ligjor, por që sot janë në favor të përmbysjes së tyre.
“Nuk kam një axhendë që të përpiqem të rrëzoj (çështjen) Casey. Axhenda ime është t’i përmbahem funksionimit të shtetit ligjor dhe të vendos sipas çështjes që paraqitet”, tha gjatë procesit të konfirmimit të saj gjykatësja Amy Coney Barret.
“Një nga gjërat më të rëndësishme, që duhet të kemi parasysh për Roe kundër Wade është se (vendimi) është riafirmuar disa herë gjatë 45 viteve”, tha në atë kohë kandidati tjetër Bret Kavanaugh.
“Roe kundër Wade, i vendosur në vitin 1973, është një precedent i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara”, shprehej kandidati për në gjykatë Neil Gorsuch.
“Gjykata duhet të respektojë gjykimin dhe mençurinë që është mishëruar në vendimet e mëparshme gjyqësore”, thoshte gjatë konfirmimit kandidati për në Gjykatën e Lartë, Samuel Alito.
Punëtorët filluan të ngrenë menjëherë gardhe përreth godinës së Gjykatës së Lartë pasi rrodhi në shtyp dokumenti i hartuar nga Gjykatësi Samuel Alito. Aktivistët e të drejtës së abortit paralajmëruan se vendi do të bëjë një hap të madh prapa, nëse gjykata rrëzon vendimin për çështjen “Roe kundër Wade”.
“Një brez i ri grash e shohin këtë situatë dhe thonë: ‘Prit njëherë. Nëna ime dhe gjyshja ime kanë patur më shumë të drejta se ç’do të kem unë në të ardhmen? Mua do më duhet të shqyrtoj një mori ligjesh të shteteve, ndërsa 15 prej tyre po përpiqen ta ndalojnë abortin?’ Kështu veprojnë njerëzit në internet. Do t’i shohin gjërat dhe do të thonë ‘Në ç’botë po jetoj?’,” tha Senatorja demokrate Amy Klobuchar.
Më pak se gjysma e aborteve në Shtetet e Bashkuara përfshijnë ndërhyrje kirurgjikale; pjesa më e madhe kryhen pa ndërhyrje. Shtetet me shumicë republikane po përpiqen gjithnjë e më shumë për të ndaluar ilaçet që përdoren për këtë qëllim, por që shërbejnë edhe si kurë për shtatzanitë e dështuara. Disa shtete synojnë ta bëjnë të jashtëligjshëm abortin edhe në rastet e përdhunimit apo inçestit.
Vetëm pak ditë pas rrjedhjes në shtyp të dokumentit të Gjykatës së Lartë, në shtetin Luiziana filluan përpjekjet për ta klasifikuar abortin si vrasje, për nënën dhe për mjekun, që ofron shërbimin.
Rreth dymbëdhjetë shtete të tjera mund të veprojnë në këtë mënyrë, nëse vendimi për çështjen Roe nuk do të shërbejë më si një parim udhëzues ligjor për vendin. Vendimi zyrtar i Gjykatës së Lartë mund të jepet që në muajin qershor./VOA