Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh sot në komisionin e Ekonomisë se Shqipëria u bë turpi i botës për kriptovalutat dhe mashtrimet përmes call center-ave. Ai pyeti kreun e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete se cilat janë masat që ka marrë institucioni që ai drejton. Ish-zv/kryeministri kërkoi goditjen e fenomenit.
“Për shkak të aktivitetit kriminal të gjerë zbuluar gjatë vitit që shkoi edhe këtë vit veçanërisht në tregun e kapitaleve por edhe të kriptovalutave. Unë mendoja që raporti i AMF do t’i kushtonte vëmendje këtyre fenomeneve. Për fat të keq në raport nuk ka asgjë për to. Në raportin për vitin 2018 në Komisionin e Ekonomisë kjo çështje ka qenë kyçe. Ne lamë detyra të qarta. Fenomeni sapo ishte shfaqur veçanërisht me call center-at përmes FOREX-it.
Ne lamë detyra, por nga 2018-ta e këtej jo vetëm që nuk janë përmbushur, por fenomeni është bërë aq i madh sa u kthye në një fenomen kriminal. Por ajo që më shqetëson është se asnjë nga institucionet financiare nuk është marrë me këtë aktivitet. Përkundrazi, u bëmë qendra e botës, vitin që shkoi për turp për shkak të raportimeve që erdhën nga agjenci ligjzbatuese të vendeve ku qytetarët ishin mashtruar përmes këtij procesi.
Kemi goditur thjeshtë dhe vetëm për shkak të informacionit të tyre. Nisur nga kjo do të doja t’ju pyesja, cili ka qenë aktiviteti i AMF për të goditur këtë fenomen? Çfarë ka bërë autoriteti për të zbatuar ato që la komisioni? Nga agjenci të tjera, përfshi SHISH apo agjenci të tjera që merren me krimin ekonomik, keni pasur informacion apo jo?
I njëjti fenomen kriminal është shfaqur në kriptovaluta. Parlamenti kreu një përpjekje të mirë muaj më parë duke miratuar legjislacionin e domosdoshëm për të rregulluar veprimtarin në këtë fushë. Mase jemi të parët që e kemi pranuar me ligj, por problemi është aktiviteti kriminal dhe i palicensuar që po bën kërdinë veçanërisht në zonën Tiranë Durrës. Janë agjenci të tjera ligjzbatuese që janë marrë me fenomenin dhe goditjen e fenomenit. Tani që kemi një bazë ligjore, cilat kanë qenë masat e mara nga autoritet për goditjen informale në këtë treg”, tha Braçe.