Mbrëmjen e 9 majit, presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi Lend-Lease Act të vitit 2022 për mbrojtjen e demokracisë së Ukrainës.
Kjo nënkupton: përshpejtim të dërgesave e ndihmave ushtarake në Kiev dhe që kujton atë që në vitin 1941 shërbeu për të ndihmuar aleatët, përfshirë Bashkimin Sovjetik, në luftën kundër Adolf Hitler-it dhe nazizmit.
Gjë që ndryshoi rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore.
Sakaq, presidenti Biden premtoi se do të vijojë mbështetjen ndaj ukrainasve në “betejën e tyre për mbrojtjen e vendit dhe demokracisë”.
Po ashtu kujtoi se si nënshkrimi i Lend-Lease thuajse përkoi me përvjetorin e ditës së fitores të Forcave Aleate në Evropë, 8 maj 1945.
Miratuar unanimisht nga Senati; më pas me 417 vota pro dhe vetëm 10 kundër, masa do t’i japë Biden-it më shumë fuqi për të hyrë në marrëveshje si me Kievin, ashtu edhe me vendet e Evropës Lindore.
Rrjedhimisht, do t’i japë Washington-it të drejtën për të dërguar më shpejt furnizime ushtarake të nevojshme drejt Ukrainës për të kundërshtuar operacionin ushtarak special të Putin-it.
Kështu, Kievi do të jetë në gjendje të kërkojë një procedurë të thjeshtuar për transferimin e armëve dhe materialeve të tjera pa paguar menjëherë.
Kurse Washington-i do të marrë në këmbim garancinë se Ukraina do të kthejë ose rimbursojë gjithçka më vonë.
“Lend-Lease Act” i ri, shoqëruar me paketën e ndihmës prej 33 miliardësh të kërkuar nga Kongresi, shënon një hap përpara për SHBA-të në konfliktin ukrainas.
Po ashtu kujton programin e dëshiruar nga Franklin Delano Roosevelt.
“Në fjalimin e tij të vitit 1941, presidenti Roosevelt shpjegoi se demokracia ishte nën kërcënim, jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën”, ka treguar kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.
“Kjo është arsyeja pse ai i kërkoi Kongresit t’u japë një dorë aleatëve tanë”, shtoi ai.
Kongresi, muaj më vonë, miratoi programin origjinal Lend-Lease që eliminoi hapat dhe pengesat burokratike dhe lejoi që aleatët të furnizoheshin më shpejt.
Ngjashëm si programi i Roosevelt-it që rezultoi vendimtar në mposhtjen e nazizmit, Biden-i shpreson se ligji i ri do të bëjë të njëjtën gjë, duke eliminuar proceset që shpenzojnë kohën kur ajo është e çmuar.
“Është e gjitha çështje kohe. Koha është shumë e rëndësishme kur jetët janë në rrezik”, ka ravijëzuar Pelosi.