Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi sot se Konferenca e Kryetarëve refuzoi ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike, pasi sipas saj ka abuzime nisur nga tre raste; porti i Durrësit, por edhe dy emrat e tjerë të njohur aktorin Gazmend Paja dhe ministren Olta Xhaçka.
“Nga personazhe të botës së krimit deri te të afërt të qeverisë kanë përfituar. Sot konferenca e kryetarëve votoi kundër ngritjes së komisionit për të bërë transparencë për ligjin për investimet strategjike.
PD kërkoi transparencë për vendimet nga porti i Durrësit, deri te projekte të tjera, që konsiderohen strategjike, por që kanë sjellë zero punësim dhe investime nga jashtë, është bërë si ligji i ndarjes së favoreve. Por ne do të insistojmë” tha ajo.
Por cila ishte kërkesa e PD-së?
7 deputetë e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që kanë firmosur kërkesën për verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik janë; Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj. Sipas tyre, qëllimi i ligjit për investitorët strategjik ishte pozitiv, por u përdor për t’u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.
Pjesë nga kërkesa e PD-së
Mbi këto projekte ka pasur hije dyshimi për korrupsion, favorizim, paligjshmëri, klientelizëm dhe arbitraritet, duke dhënë si shembull tre procedura:
1. për rastin e Portit të Durrësit;
2. rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë (PS), z. Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 në Dhërmi;
3. rastin e bashkëshortit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe deputetes së PS-së, znj. Olta Xhacka, ish-deputeti socialist z. Artan Gaci, i cili ka përfituar të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, cmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar për Investimet Strategjike.
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike;
(ii) hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”;
(iii) shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për Investimet”.