-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veteranët finlandezë mbështesin anëtarësimin në NATO

Kryesoret

Finlanda është një hap më pranë anëtarësimit në NATO, pasi qeveria e saj shprehu qëndrimin pro anëtarësimit në aleancën ushtarake. Si Finlanda, edhe Suedia pritet që gjatë ditëve të ardhshme të aplikojnë për anëtarësim në aleancë, në përgjigje të sulmit të Rusisë kundër Ukrainës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga qyteti kufitar Taipalsaari, veprimet e Rusisë nuk janë të panjohura në historinë e Finlandës.

Në nëntor të vitit 1939 forcat Sovjetike sulmuan Finlandën, në atë që njihet si Lufta e Dimrit. Trupat finlandeze ishin shumë më të pakta në numër, por forcat sovjetike pësuan humbje të mëdha. Ushtarët finlanezë ishin të përgatitur për luftë mes pyjeve të ngrira – një rezistencë që vlerësohet gjerësisht.

Veterani i ushtrisë, 94 vjeçari Tapio Niemi ende jeton afër kufirit me Rusinë – ku para rreth 80 vitesh zhvilloheshin betejat. Ai kujton ditën e pushtimit.

“Ishte e frikshme për një djalë të vogël. Isha 12 vjeç, në shkollë kur mësuesi erdhi dhe tha se nisi lufta mes Finlandës dhe Rusisë dhe se shkolla do të mbyllej”, tha Tapio Niemi për Zërin e Amerikës.

Pesë vite më vonë, ai iu bashkua ushtrisë, duke shërbyer në frontin e brendshëm gjatë të ashtuquajturës lufta e dytë sovjeto-finlandeze. Një nga detyrat e tij ishte bartja e trupave të bashkëluftëtarëve të vrarë në betejë.

Edhe pse Finlanda i rezistoi pushtimit, ajo u detyrua t’ia lëshojë Rusisë rajonin e Karelias – rreth 10 për qind të territorit të saj.

99 vjeçari Unto Hakuli luftoi nga viti 1942 deri më 1944.

“Sekreti është se ne ishim pak më të aftë sesa rusët”, thotë zoti Hakuli.

Pas luftës, Finlanda dhe Rusia jetuan në paqe. Veteranët vizitonin shpesh vendet e betejës përtej kufirit.

“Kur filloi lufta në Ukrainë, mendimi ynë për rusët ndryshoi plotësisht. Sidomos kur pamë se sa mizorë ishin ndaj ukrainasve. Kjo gjithashtu prek Finlandën, e cila po shqyrton anëtarësimin ose jo në NATO. Nëse do të më pyesnin mua, patjetër që do të bashkohesha. Na jep më shumë siguri dhe e garanton atë”, thotë veterani Hakuli për Zërin e Amerikës.

“Hyrja në NATO do na jepte një më shumë siguri. Ka mendime të ndryshme lidhur me të. Rusia, natyrisht që nuk e mbështet anëtarësimin e fqinjëve të saj. Megjithatë, kur analizojmë vendet tjera baltike dhe Poloninë për shembull, ato nuk janë dëmtuar pas hyrjes në NATO”, thotë veterani Niemi.

Sakrifica e atyre që vdiqën duke mbrojtur atdheun nderohet në Ditën e Veteranëve, më 27 prill. Këtë vit ceremonitë kishin jehonë më të madhe, ndërsa Finlanda përgatitet të braktisë neutralietin duke iu bashkuar NATO-s, në përgjigje ndaj agresionit rus. /VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit