-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Banka Botërore, hua 75 milionë euro Shqipërisë për reformimin e sektorit të ujit

Kryesoret

Shqipëria do të përfitojë një mbështetje të konsiderueshme për reformimin e Sektorit të Ujit përmes një financimi nga Banka Botërore, që përfshin një hua prej 75 milionë $ dhe një grant prej 6,3 milionë $, miratuar sot nga Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore. Kjo hua është pjesë e Programit Kombëtar prej 135 milionë $ për modernizimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri që bashkëfinancohet nga Qeveria e Shqipërisë. Granti financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe do të menaxhohet nga Banka Botërore, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp.

Programi synon përmirësimin e aktivitetit dhe gjendjes financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve si dhe ofrimin e shërbimeve të përmirësuara të furnizimit me ujë në Shqipëri.

Shqipërisë nuk i mungojnë burimet e bollshme ujore për t’i ofruar ujë të pijshëm, të freskët dhe të sigurt gjithë popullsisë. Vitet e fundit, Shqipëria ka hartuar një kuadër rregullator të plotë për ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe ka bërë ndryshime në organizimet institucionale për përmirësimin e ofrimit të shërbimit.

Megjithatë, shumica e shoqërive të ujësjellësit në Shqipëri vijojnë të kenë performancë të ulët si teknike, ashtu edhe financiare. Kjo ndikon cilësinë e shërbimit për popullsinë dhe bizneset, si dhe pamundëson ofrimin e shërbimeve aty ku mungojnë, veçanërisht për popullsinë më të cenueshme në zonat periferike dhe rurale të vendit. Rreth 20 përqind e popullsisë rurale nuk mbulohet nga rrjeti i tubacioneve të ujësjellsave. Shumica e shoqërive të ujësjellësave, 37 nga 58 prej tyre varen thuajse tërësisht nga fondet e qeverisë qendrore. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve (UK) ka nevojë për reformim lidhur me modelet e menaxhimit dhe organizimit që do të mundësojnë arritjen e synimeve kombëtare.

“Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnimizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. “Banka Botërore do të mbështesë sektorin përmes një instrumenti novator financimi të quajtur Program për Rezultate. Kjo do të thotë që në vend që të sigurohen financime për infrastrukturën, të përqendrohemi në mbështetjen e reformës institucionale, ose siç e themi në mënyrë jozyrtare ‘në vend që të rregullojmë tubat, të rregullojmë institucionet që duhet të rregullojnë tubat’.”

Programi për Shërbimet e UK-së do të ndihmojë në transformimin e thellë të sektorit për përballimin e sfidave strukturore. Kjo do të forcojë planifikimin dhe programimin e investimeve, si në nivel vendor ashtu edhe qendror në sektorin e UK-së, duke mundësuar shtrirjen e investimeve publike në zonat gjysmëurbane dhe rurale. Në kuadër të këtyre reformave, shoqëritë e ujësjellësit priten të përmirësojnë performancën e tyre, duke u mbështetur më pak nga fondet publike. Përdorimi efikas i fondeve publike do t’u sjellë përfitime jo vetëm familjeve, por do të përmirësojë edhe ekonominë. Shërbimet më të besueshme dhe me cilësi më të lartë për familjet dhe bizneset do të kenë ndikim pozitiv në industrinë e turizmit, hapjen e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë, si dhe në zvogëlimin e hendekut midis zonave urbane dhe rurale.

Projekti i sapoaprovuar përdor instrumentin e financimit Program-për-Rezultate që lidh drejtpërsëdrejti disbursimin e huasë me arritjen e rezultateve specifike të programit. Ndërsa Granti do të sigurojë financim për asistencën teknike, ngritjen e kapaciteteve në institucionet qendrore të sektorit, për zbatimin, monitorimin, si dhe për vlerësimin e rezultateve të programit.

Programi është hartuar dhe do të zbatohet bashkërisht me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve (AKUM), si dhe me Ministrinë e  Ekonomisë dhe Financave, përfundon njoftimi për shtyp./Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit