Pas atentatit që i ndodhi ditën e shtunë të riut Blerim Preçit, kamerat e sigurisë kanë fiksuar mjetin që është përdorur në këtë atentat.
Një audi ngjyrë gri, të cilit ende nuk i janë identifikuar targat e makinës.
Mësohet se pamjet filmike nuk janë të qarta dhe do të dërgohen për ekzaminim të specializuar në Tiranë. Autorët i kanë ndjekur lëvizjet e kushërinjve Blerim dhe Klisman Preçi, dhe në zonën e Ishull-Lezhë, automjeti tip Audi është bërë njësh me foristradën dhe nga sedilja e pasme një person ka hapur zjarr, duke qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të kushërinjve Preçi.
Burime nga prokuroria e Lezhës, bëjnë me dije se pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek prishja pazareve të drogës mes grupeve në vendet e Bashkimit Evropian, ku jeton Blerim Preçi bashkë me të vëllanë.
Në dëshminë e parë në polici shënjestra e atentatit, ka deklaruar se nuk ka konflikte, por hetuesit po kalojnë në sitë të gjithë veprimtarinë e tij në vendet e BE. Blerim dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri plumbash teksa po lëviznin me automjetin tip foristradë Ml përgjatë supestradës Lezhë-Miloit, por nga të shtënat fatmirësisht nuk morën lëndime, duke i shpëtuar mrekullisht atentatit të mirorganizuar ndaj tyre.