Arben Iliazi
Ta dini sa shumë jemi mërzitur ne, populli i thjeshtë, që partitë nuk gjejnë dot një President. Jemi në pikë të hallit. As na hahet, as na pihet! O Zot po luajmë nga fiqiri! Na vjen për të qarë…Por askujt s’i bëhet vonë. Qeveria rri në hije, populli ngrohet në diell. E dimë që heshtja e popullit është flori për qeverinë, por ne nuk mund të heshtim më. S’i thonë shaka, rrezikojmë të mbetemi pa President!
More le të rriten çmimet, le të çmendet inflacioni; nafta le të shkojë në qiell, le të ngordhim ne në vend të pulave por, amani, mos na lini pa President! Nuk e duam as nesër as pasnesër, e duam tani! Ndryshe do ikim fare nga Shqipëria. Se si na duket të mbetemi pa President. Pa President nuk jemi vetvetja! Kush do i drejtojë punët e shtetit? Kush do i qajë hallet e miletit?
E dimë që presidentët tek ne nuk janë për të punuar e për të qarë hallet tona…E dimë që Presidenti është kukull, send, orendi…Por kjo nuk ka rëndësi! O Zot, mos na ler pa President!