Digjet raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në orën 17:00 u mblodh Kuvendi i Shqipërisë, por që nuk votoi asnjë kandidat.
Palët nuk propozuan asnjë emër. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka lexoi raportin për formalitet. “Asnjë kandidaturë nuk është dorëzuar” tha Bushka. “Seancën e deklaroj të mbyllur” tha Nikolla.
Nesër do të mblidhet konferenca e Kryetarëve për të përcaktuar datën për seancën e dytë, ku sërish kërkohen 84 vota. Kushtetua e përcakton që duhet të jetë brenda 7 ditëve nga raundi i parë.
Edhe në raundin e tretë duhen 84 vota, më pas dy të fundit me shumicë të thjeshtë mund të zgjidhet kreu i ri i shtetit.
Palët janë larg një kompromisi. Shumica nuk lëshon nga kërkesa e opozitës, që të jetë ajo që të bëjë e para propozimin për pasuesin e Ilir Metës.