Shqiptarët renditen të parët në rajon, dhe të dytët në Europë për numrin më të lartë të martesave gjatë vitit 2020, kjo në raport me popullsinë.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se gjatë pandemisë pati 6.16 martesa për 1 mijë banorë, që është pothuajse dyfishi i normës mesatare të Bashkimit Europian, prej 3.2 lidhjesh martesore. Hungaria zë vendin e parë me gati 6.9 martesa për 1 mijë banorë, ndërsa fundin e listës e mbajnë Italia, Portugalia, Spanja dhe Irlanda.
Krahas martesave, i lartë ishte edhe numri i divorceve mes çifteve shqiptare gjatë vitit të pandemisë. Sipas Eurostat në vitin 2020 u regjistruan 1.5 divorce për një mijë banorë, çka e bën Shqipërinë që sërish të renditet në krye të rajonit, dhe nga të parat në Europë. Pas saj vjen Bosnje – Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërsa në Europë rekord për ndarjen e mbajnë çiftet nga Letonia, Lituania dhe Danimarka. Tendenca europiane për rritjen e numrit të divorceve jo vetëm në pandemi, por edhe gjatë dekadës së fundit, sipas Eurostat lidhet me ndryshimin e strukturës së familjes.