Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se Tirana është afera e korrupsionit. Më tej Meta shton se Tiranës së sotme nuk i ka mbetur asgjë nga ajo e 30 viteve më parë.
Sipas Presidentit, po betonizohet gjithnjë e më shumë dhe se është shndërruar në “lavatriçen” e pastrimit të parave të trafiqeve dhe korrupsionit.
Meta thekson se paraliza e lëvizjes qytetare, biznesit të vogël dhe të mesëm nga mafia e betonit, ngushtimet dhe devijimet e qëllimshme të rrugëve dhe nyjeve të trafikut, vetëm për t’i shërbyer një grushti klientelist dhe oligarkësh të lidhur me pushtetin e kanë renditur kryeqytetin, në qendrën urbane me cilësinë më të keqe të jetës në Europë dhe ndër të fundit në botë sipas statistikave më serioze.
Postimi
“Tiranës së sotme nuk i ka mbetur pothuajse asgjë nga ajo e 30 viteve më parë. Hapësirat e gjelbra janë ngushtuar. Ndërtesa të reja po lartësohen çdo ditë, ndotja është shtuar, trafiku ka raste që është i papërballueshëm, parkimi është një mision, pothuajse i pamundur. Vlerësimet janë se 40% e ndërtimit qarkullon paratë informale, nga disa kompani, kryesisht në kullat e shtrenjta. Paraja informale duket se ka qenë lobuesi kryesor për të rritur sipërfaqen me leje ndërtimi”.
Këto janë konstatimet tronditëse, që i shohim çdo ditë dhe që i sjell në vëmendjen e banorëve të Tiranës, revista prestigjoze “Monitor” në editorialin që nuk duhet humbur: “Si po shpërdorohet e ardhmja e kryeqytetit!”