Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se më 20 maj të premten shkollat në Kosovë, do të mbyllen, për shkak se punëtorët arsimor do të marrin pjesë në një protestë madhore për çështjen e pagave në sektorin arsimor.
“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në komunikatën për media.
SBASHK-u ka shprehur keqardhje për gjendjen e krijuar, e cila sipas tyre, është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete.