Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij të përnatshëm për popullin ukrainas, ka gjetur edhe momentin të “tallet” me disa pretendime të rusëve se kanë përdorur armë me lazer për të goditur dronët ukrainas dhe për t’i rrëzuar ata.
Përgjatë fjalimit, Zelensky hoqi paralele mes logjikimit rus dhe atij të Gjermanisë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur deklarohej se pala gjermane kishte shpikur një “armë çudibërëse”, ndonëse ishte e qartë se po humbiste luftën.
“Sapo u bë më e qartë se ata nuk kishin shanse në këtë luftë, nisën propagandën për këtë armë kaq të fuqishme sa të kthente rrjedhën e gjithçkaje”, tha Zelensky gjatë adresimit të tij publik.
Për më tepër, ai shtoi se ishte kjo mënyra që Rusia po përdorte, për të shmangur dukjen e dështimit tërësor të misioneve të tyre.