Katër persona janë lënduar në një aksident komunikacioni mëngjesin e së premtes në fshatin Qerim të Gjakovës.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 8:00 të mëngjesit.
“Dy automjete janë të përfshira, nuk dihet se çfarë automjete ishin, por njëra nga to është e Prokurorisë së Gjakovës dhe tjetra është civile”, tregoi Nysret Xhurkaj, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjakovës.
“Nuk dihet cili ishte fajtori, kush ishte shkaku”, thotë Xhurkaj, “sepse rasti është akoma duke u hetuar, në vazhdimësi”.
Për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti, prokurorët dhe qytetari i janë dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës, për të marrë trajtimin e duhur mjekësorë.
“Nuk e dimë shkallën e lëndimeve”, thotë Xhurkaj, duke shtuar se për detaje të mëtejme do të informoj me kohë.
Se ende nuk dihet saktë gjendja e tyre shëndetësore e thonë edhe në Emergjencën e qytetit të Gjakovës.
Gjokë Komani, mjek në emergjencë ka thënë për Albanian Post se të lënduarve ende nuk u është bërë ekzaminimi final, akoma janë duke i trajtuar dhe nuk mund të flasin saktë për gjendjen e tyre shëndetësore.