Një delegacion prej shtatë eurodeputetësh do të vizitojë Tiranën dhe Podgoricën nga 23 deri më 26 maj për të shprehur mbështetjen për çuarjen përpara të procesit të zgjerimit.
Në publikimin e Parlamentit Evropian thuhet se anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme (AFET) do të vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe reformat e mëtejshme të nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.
Delegacioni i shtatë eurodeputetëve, i kryesuar nga kryetari i AFET-it, David McAllister (EPP, DE), do të takohet me përfaqësuesit e lidershipit politik, opozitës dhe shoqërisë civile në të dy vendet.
Ata do të rikonfirmojnë gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE dhe do të shprehin mbështetjen për përpjekjet e Malit të Zi për t’i përfunduar ato.
Vizita do të trajtojë çështjet e theksuara në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë të miratuar nga seanca plenare më 19 maj 2022 dhe në raportin e Malit të Zi të miratuar nga Komisioni për Punët e Jashtme më 12 maj.
Ndërkohë, më 19 maj, raporti për procesin e aderimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian u miratua me shumicë dërrmuese në Parlamentin Evropian, me 519 vota pro, 52 kundër dhe 28 abstenime.
Në dy raportet e miratuara të enjten, të cilat vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Parlamenti i kërkon Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me këto dy vende.
Ata kanë vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin e saj kundër Ukrainës.