Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri, gjatë një konference për media ka adresuar një varg kritikash për qeverinë komunale, teksa ka përmendur një ‘sukses’ të qeverisë komunale për këta gjashtë muaj – vendosja e shqiponjës së vogël në sheshin e Gjilanit.
“Ekzekutivi i Gjilanit të zgjohet nga gjumi, ta pastroj shqiponjën e vogël që e ka vendos në shesh, tek këmbët e dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si të vetmin ‘investim’ që e ka bërë këta 6 muaj të qeverisjes”, tha Haziri.
Ish-kryetari i Gjilanit ka folur lidhur me dështimin e komunës së Gjilanit për fillimin dhe vazhdimin e disa projekteve, sidomos për mosinteresimin total të qeverisë komunale për autostradën e Gjilanit.