Kremlini akuzoi të hënën nacionalistët ukrainas për kryerjen e një “sulmi terrorist” kundër një zyrtari të instaluar nga Rusia në Ukrainën jugore, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Andrey Shevchik u emërua si kryebashkiak i Energodar, në rajonin e Zaporizhzhia, pasi trupat ruse morën kontrollin e qytetit. Është vendi i centralit më të madh bërthamor në Evropë.
Të dielën, Shevchik dhe dy rojet e tij u plagosën në një shpërthim teksa po hynin në një ndërtesë. “Elementët nacionalistë ukrainas po përdorin metoda të tilla”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Një zyrtar i policisë lokale, Alexei Selivanov, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti se Shevchik kishte “pësuar djegie dhe lëndime”, por jeta e tij dhe truprojave të tij nuk ishte në rrezik.
Ai tha se zyrtari pro-Moskës ishte shënjestruar nga një pajisje shpërthyese e vendosur në një dollap të centralit elektrik.
Një qytet me rreth 50,000 banorë, Energodar u ndërtua në vitet 1970 rreth termocentralit bërthamor, i vendosur në lumin Dnipro.