Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt. Mësohet se ata kanë qenë të përfshirë edhe në atentatin e dështuar në fillim të këtij viti ndaj Lulëzim Mashës, administrator i një shkolle private në Tiranë. Për këtë ngjarje është vënë në pranga Skerdi Tasi.
Para prokurorëve, Henrik Hoxhaj të jetë shprehur se në janar të vitit 2022, ka qenë pjesëmarrës në atentatin e ndodhur ndaj Lulëzim Mashës, i cili udhëtonte me një makinë ML tek diga e Liqenit.
Henrik Hoxhaj tregon se kishte pajtuar Skerdi Tasin për të vrarë Lulzim Mashën. Ai kishte qëlluar ndaj biznesmenit por nuk e kishte eliminuar dot. Ndërkohë sipas Henrik Hoxha, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritje djali i Lulëzim Mashës, pasi mashtronte njerëzit dhe u merrte para. Duke qenë se djali fshihej në Maqedoni “porositësit” kanë tentuar të vrasin babanë e tij.
“Nuredin Dumani nga mesi i viti 2021 më ka shkruar dhe më ka ofruar 100 mijë euro nëse kryeja vrasjen e Lulzim Mashës. Unë e kam marrë përsipër për ta kryer bashkë me Skerdi Tasin këtë vrasje.
Pas rreth 8 muajsh në Janarin e 2022, bashkë me Skerdin jemi nisur për të kryer vrasjen.
Të dy kemi qenë në Tiranë dhe unë kam patur një makinë ML gri me qira.
E lash Skerdin tek diga e Liqenit që të priste Lulzim Mashën. Jemi takuar pas 45 minutash tek furgonat e Fierit ku ai ishte me këmbë pasi kishte qëlluar ndaj Lulzim Mashës.
Ai më tha se i kishte qëlluar por nuk e kishte vrarë dot dhe ishte larguar në këmbë.
Armën më tha se e ka hedhur në liqen. Unë kam pyetur Nuredin Dumanin se pse duhej të vritje Lulzim Masha dhe Dumani më tha se në fakt duhej të vritej djali i Lulzim Mashës.
Sipas Dumanit ai mashtronte duke u marrë para njerëzve dhe fshihej në Maqedoni.
Nuk kam dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi.” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoxhaj.