400 deri në 500 tifozë agresivë nga secila prej ekipeve finaliste të Conference League pritet të jenë në stadium për të ndjekur ndeshjen.
Është ky informacioni që disponon Policia e Shtetit e cila për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes prej mëngjesit të së martës ka kaluar në gatishmëri të përforcuar.
Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Rebani Jaupi në një prononcim për Tv Klan u shpreh se për të mbajtur nën kontroll tifozët agresivë, në Tiranë kanë mbërritur 28 policë italianë e holandezë.
“Rreth 400-500 tifozë problematikë të cilët mendohet që do të vijnë për çdo ekip. Ne na janë afruar nga 14 oficerë policie të cilët njohim mirë skuadrat, kanë një reputacion të mirë te tifozët të dy ekipeve”.
Sipas Jaupit, rreth 2800 efektivë pritet të angazhohen në planin e masave për ndeshjen finale.
“Të angazhuar në plan masash mund të them që janë rreth 2800 punonjës policie të planifikuar në plan masash. Pjesa tjetër është në gatishmëri për të përmbushur detyrën e këtij eventi kaq të rëndësishëm”.
Në kuadër të planit të masave ditën e mërkurë në kryeqytet është shpallur dita pa makina për të shmangur çdo lëvizje në akset ku pritet të kalojnë tifozëritë e ekipeve respektive.