Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Deputeti i PD Gazmend Bardhi shprehet se shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po “ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij”.
“Ligji për investimet strategjike u shndërrua nga Qeveria në ligj për abuzimin me pasuritë publike. Bashkë me një grup kolegësh dorëzuam sot kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar mënyrën e zbatimit të ligjit për investimet strategjike.
Shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij”, shprehet Bardhi. Pak ditë më parë një kërkesë e tillë u rrëzua në Konferencën e Kryetarëve, por PD po tenton sërish.