Dhuna e shkaktuar nga tifozët ultras në Tiranë, një ditë përpara finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoord, ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave italiane, për ta kjo është një indice se çfarë mund të ndodh këtë të mërkurë, të vetëdijshëm dhe të shqetësuar njëkohësisht. Në Itali i frikësohen mbarëvajtjes së ndeshjes dhe rrezikut të përballjes së dy tifozerive.
Situata nisi të ndizej me kalimin e orëve mbrëmjen e së martës, ku tifozët, ata ultras nisën të grupoheshin. Të shumtë në numër, nën efektin e alkoolit, sollën koas në disa pika të kryeqytetit, te pallati me shigjeta, në Bllok, në qendër, përpara kryeministrisë apo në segmente të tjera të kryeqytetit.
Policia e shtetit bëri me dije se si pasojë e dhunës së shkaktuar nga tifozët e dy skuadrave janë plagosur 10 punonjës Police dhe dëmtuar një automjet i policisë. Dëme janë raportuar në lokale të ndryshme apo në biznese private. Për këto ngjarje janë shoqëruar 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez, të përfshirë në akte të dhunshme.