Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Zvicër ka takuar sot drejtues të ndërmarrjeve zvicerane.
Sipas komunikatës nga kryeministria, në qendër të bisedimeve gjatë këtyre takimeve ishte rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Gjatë një dreke pune, kryeministri Kurti theksoi indikatorët pozitivë ekonomik, qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, fuqinë punëtore profesionale si dhe shpenzimet e ulëta operacionale si disa prej arsyeve se pse Kosova ka potencial serioz për investime të huaja. Ai po ashtu foli për marrëdhënien e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës falë mërgatës së madhe shqiptare atje, dhe për planet dhe synimet e qeverisë për ta bërë atë pjesë integrale të zhvillimit të vendit. Kompanitë e përfaqësuara në këtë drekë pune ishin ABB Electrification, Amberg Group, Dr. Borer Consulting, Capita Switzerland, COOP, Die Weltwoche, ManPower, Parashift, RepRisk/Forlam Ventures, Shcaffhauser Kantonalbank, SAP, Sunrise UPC dhe Sygnum Bank AG”, ka njoftuar Kurti.
Ndërsa, siç bëhet e ditur, në takimin me Asgar Brockmeyer, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv i Grupit Stadler Rail, duke theksuar mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë, Kryeministri Kurti foli për qëllimin e Qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës cilësore që redukton kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat. Gazeta Express