-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

“Plumbi i artë” dhe disa pyetje

Kryesoret

Nga Viktor Malaj

Njoftimi më i fundit i SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit mbi zhvillimin e një operacioni për arrestimin e 32 elementëve kriminalë, të akuzuar për vepra të rënda penale ishte një lajm i mirë dhe nga ato lajme që janë pritur për një kohë të gjatë. Nuk është gjë e re po të pohojmë se njëra nga plagët më të rënda shoqërore të këtyre tri dekadave është fakti se “i keqi” dhe “i forti”, pra individët ligjshkelës dhe kriminelë i kanë hipur në qafë popullit shqiptar, e kanë bërë “sus!” njeriun e ndershëm dhe qytetarin e virtytshëm që kërkon të jetojë me dinjitet.

Nuk është hera e parë që elementë kriminalë akuzohen, arrestohen dhe, madje, dënohen. Jo pak prej tyre ndodhen duke vuajtur dënimet me burgim të gjatë në institucionet përkatëse. Disa nga 32 emrat e njoftuar nga SPAK-u janë të njohur për shoqërinë shqiptare dhe, veçanërisht, për zonat ku ata jetojnë e veprojnë, si njerëz me rrezikshmëri të madhe shoqërore.

Përveç ngazëllimit që sjell operacioni “Plumbi i Artë”, të lindin edhe pyetje që shkaktojnë edhe zhgënjime legjitime. Zhgënjimin kryesor e përbën fakti se elementët kryesorë kriminalë, që besohet se janë edhe krerë të bandave keqbërëse, thuhet se nuk janë gjetur ende nga policia dhe se “po punohet për kapjen e tyre”. Si ta shpjegosh këtë fakt, që elementët me rrezikshmëri më të lartë shoqërore u ndodhën larg shtëpive të tyre në momentin kur policia nisi aksionin e saj për t’i arrestuara? A mos është kjo një rastësi? Mundet, por rastësia bëhet e vështirë për t’u pranuar kur fjala nuk është për një, por disa dhe nga më të rrezikshmit.

Dihet mirë se çdo polici profesionale dhe e ndershme, në raste të tilla, qysh përpara ekzekutimit të urdhër-arresteve, merr masa për të verifikuar dhe gjetur vendndodhjet e të dyshuarve për krime dhe i mban ata në vëzhgim deri sa të nisë aksioni për arrestimin e tyre. A e kishte kryer policia shqiptare këtë detyrë dhe, nëse jo, pse?! A mos vallë, problemi është më i thellë dhe më shqetësues, pra që drejtues vendorë apo qendrorë të policisë janë të lidhur me kapobandat kriminale dhe i kanë njoftuar ata të fshihen përpara nisjes së veprimeve policore?! Kemi të drejtë të dyshojmë se mund të ketë edhe të tjerë Leonard, si ai oficeri i krimeve që u arrestua së bashku me ta.

Një pyetje tjetër që lind është: si është e mundur që “tetë banda” u zbuluan njëherësh dhe vetëm pas “zbërthimit” të një vrasësi me pagesë? Ku ka qenë policia deri tani dhe a funksionon veprimtaria e saj e fshehtë operative me të cilën depërtohet tek bota e krimit dhe zbulohen autorët e krimeve të kryer dhe planet e bandave për kryerjen e krimeve të tjera? Dihet tashmë se disa nga elementët kriminalë që ndodhen në “arrati” dhe për të cilët policia ka në dorë urdhër-arrestet, janë ndaluar e arrestuar disa herë dhe janë lënë të lirë nga sistemi i tejkorruptuar i drejtësisë shqiptare. Mirëpo, nëse ky sistem i korruptuar gjyqtarësh kriminelë i ka lënë ata të lirë, sistemi policor nuk duhet t’i lërë asnjëherë “të lirë”, domethënë jashtë vëzhgimit, gjurmimit dhe përpunimit policor, përndryshe, policia nuk do të arrijë kurrë të parandalojë krimet e rënda dhe, madje, as t’i zbulojë ato.

Një problem tjetër shqetësues dhe aspak i ri është fakti që media arrin të botojë dhe emetojë, jo thjesht informacione të përgjithshëm mbi veprimtarinë kriminale të këtyre banditëve, por edhe procesverbalet e plotë të pyetje-përgjigjeve të dëshmitarëve që kanë shërbyer apo do të shërbejnë për akuzimin dhe dënimin e këtyre elementëve. Nëse media në përgjithësi nuk udhëhiqet nga ndonjë ideal përveç qëllimit të fitimit material nëpërmjet përpjekjeve për të rritur numrin e shikuesve, dëgjuesver apo lexuesve, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, po ashtu edhe Gjykata duhet të bëjnë çmos që provat kyçe të përfituara nga hetimet të mos bëhen publike. Ato nuk duhen bërë publike për dy arsye madhore, sepse: dëmtojnë hetimin dhe gjykimin duke iu dhënë mundësi të akuzuarve të ndikojnë për ndryshimin apo prishjen e provave apo krijimin e alibive të ndryshme dhe, nga ana tjetër, rrezikojnë seriozisht çuarjen drejt krimeve të reja, si masë dhe mjete që përdorin elementët kriminelë për hakmarrje apo zhvlerësimin e dëshmive.

Nga ato që ka botuar shtypi, rezulton se elementët kriminelë objekt i këtij operacioni policor kanë paguar shuma të mëdha parashë dhe kanë ekzekutuar edhe nënën e njërit prej viktimave të tyre, vetëm pse ajo këmbëngulte tek organet policore dhe të drejtësisë të zbuloheshin dhe ndëshkoheshin vrasësit e djalit të saj. Nuk e dinë policia dhe, sidomos, prokuroria se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me të afërmit e “të penduarve”?! Si mundet që të kemi oficerë policie dhe, sidomos, prokurorë që iu shesin gazetarëve të paskrupullt fotokopje të dokumenteve origjinale të dosjes hetimore, me të cilat mund të sjellin dëme të pariparueshme për çështjen penale dhe për sigurinë e shoqërisë?

Duke u shitur “për pesë aspra”, këta punonjës të shtetit dhe ata të medias iu thonë personave të tjerë që kanë dijeni për krime dhe autorë krimesh, apo që janë pjesëtarë të grupeve kriminale dhe të përfshirë në krime se, nëse pranoni bashkëpunimin me policinë dhe jepni informacione që çojnë në parandalimin apo zbulimin e veprimtarisë kriminale, do të bëheni publikë dhe do ju rrezikohet jeta juaj dhe e të afërmve tuaj. A janë prokurorët, policët dhe gazetarët pjesë e kësaj shoqërie dhe a janë ata të interesuar të jetojnë në një shoqëri të sigurt dhe të çliruar nga bota e krimit?! A e dinë ata se, duke vepruar kështu, nesër mund të bëhen ata vetë viktima të krimit dhe kriminelëve?

E drejta e informimit nuk shkon deri tek “e drejta” e dëmtimit. Gazetarë pa integritet moral e profesional dhe media pa dinjitet personal (që janë pasqyrë e pronarëve dhe drejtuesve të tyre) ka edhe në Shqipëri, ashtu si kudo në botë. Të botosh nëpër gazeta apo të shfaqësh në ekranet televizive probleme të hetimit që i shkaktojnë pasoja procesit juridik, por edhe shoqërisë, do të thotë të sakrifikosh të vërtetën, të drejtën dhe interesin shoqëror për një dorë para më shumë.

Një ndjesi aspak të mirë na krijoi pohimi i Kryetarit të SPAK, z. Kraja i cili njoftonte se hetimi rreth veprimtarisë së këtyre tetë grupeve kriminale filloi mbas arrestimit të njërit prej tyre (domethënë të Dumanit), duke nënkuptuar se ishte Dumani që informoi policinë dhe prokurorinë për krimet dhe autorët e tyre. Pse i duhej kjo opinionit publik shqiptar?! Nuk përjashtohet mundësia që shitjen e dokumenteve të dosjeve hetimore ta bëjnë edhe avokatë të pandershëm, sepse individë të pandershëm nuk ka vetëm në prokurori dhe gjykata por me shumicë edhe në botën e avokatisë.

Prandaj mbetet detyrë serioze e Policisë së Shtetit të ndjekë të gjitha rrugët dhe përdorë të gjitha mjetet ligjore për të zbuluar individët e tillë të dëmshëm, qofshin ata në radhët e veta, të prokurorisë apo të avokatëve. Kjo është e rëndësishme sepse populli shqiptar nuk dëshiron që nesër të lexojë apo dëgjojë se ky apo ai bandit u lirua nga burgu “për mungesë provash”, apo se ai tjetri nuk po mund të gjendet “megjithë përpjekjet e pareshtura të policisë”. Populli nuk mund të krijojë besim tek policia dhe shteti kur sheh që një femër e dënuar me tre muaj burgim për prostitucion kapet dhe dërgohet në burg, ndërsa kapobanda të dënuar me shumë vite burg për vrasje apo tjetërsime pronash, apo qoftë dhe në kërkim si të akuzuar për vrasje e grabitje (si këta të fundit që ndodhen ende në arrati) nuk gjenden nga policia, megjithëse popullit i shfaqen aty- këtu, në fshat apo qytet.

Mbetet të pritet nëse operacioni “Plumbi i Artë” është vërtetë i tillë apo ka qenë “Plumbi prej gome”. Përcaktimi i saktë i këtij operacioni do të bëhet në varësi të faktit nëse krerët kryesorë të grupeve kriminale dhe porositësit e vrasjeve do të gjenden e arrestohen apo do të vazhdojnë të mbeten thjesht “persona në kërkim”. Uroj që emërtimi i operacionit policor të përputhet me rezultatet e tij përfundimtare./ Botuar në DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit