Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga dosja e SPAK për Nuredin Dumanin dhe veprimtarinë e tij kriminale, pasi ky i fundit vendosi të bëhej i penduari i drejtësia.
Ai dëshmoi më herët se si vrau me thikë Fatmira Dedën në bashkëpunim me Talo Çelën, pasi ajo shkonte çdo ditë në prokurori dhe interesohej për autorët e vrasjes së djalit të saj.
Më tej në dëshmi, Dumani ka treguar edhe për njohjen dhe miqësinë e tij me Festim Qolin, për të cilin ka thënë se kanë pirë gjakun e njëri-tjetrit dhe janë bërë vëllezër.
HISTORIA
Nuredin Dumani u rrëfye. Njeriu deri dje më i shumëkërkuar në Shqipëri, tashmë ka folur. Dhe jo thjesht foli, por po trondit nga dita në ditë me dëshmitë e tij opinionin publik. E duket se po fut të dridhurat njerëzve të botës së krimit, për llogari të të cilëve veproi. Nga shtrati i Spitalit ku ndodhet që nga 29 marsi 2019, i plagosur pas pritës që iu bë në Elbasan, ai po zbërthen orë pas ore të gjitha krimet e tija të pazbardhura ku ka qenë pjesëmarrës si vrasës me pagesë, por edhe të atyre që deri ishin miqtë e tij. Por që sot janë armiqtë e tij më të përbetuar. I cilësuar tashmë si Tomazo Busheta shqiptar i krimit, Nuredin Dumani, duket se po çmonton me rrëfimet e tij të gjithë krimet e ndodhura në aksin Elbasan-Tiranë-Durrës, përgjatë 10 viteve të fundit. Rrëfim i cili ka çuar në pranga deri më tani falë operacionit të koduar ‘Plumbi i Artë’, 18 persona, midis tyre porositësh vrasjesh, killer me pagesë, por edhe avokatë dhe zyrtarë policie, të përfshirë në një rrjet të gjerë eliminimesh dhe dekonspirimesh.
Por që duket se është fillimi i një rrëfimi, që pritet të çojë pas hekurave edhe shumë personazhe të tjerë të përfshirë në krime të përbindshme.Dumani është rrëfyer. E jo për një, por dhjetra vrasje, porosi të marra për të ekzekutuar bosë të krimit, atentate të dështuara si dhe grabitje me armë. Emisioni “Në Shënjestër” do të ndalet tek disa nga krimet më të rënda në listën e gjatë të ngjarjeve për të cilat Dumani u rrëfye. Operacioni ‘Plumbi i Artë’ që thuhet se ka marrë emrin e koduar nga plumbi në mushkëri që mban Nuredin Dumani.
Plumbi, që duket se do të qëndrojë aty si një kujtim i tradhtisë së miqve që u kthyen në armiq. Të cilët thuhet se e nxorën në pritë dhe që Dumani tashmë në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë po u tregon vendin me rrëfimet e tij para prokurorëve të SPAK. Ku ajo që bie në sy në të gjitha rrëfimet e tij është brutaliteti me të cilën krimi ka vepruar në vitet duke mos kursyer as gratë. Siç ishte vrasja brutale e Fatmira Dedës, një 60 vjeçare me profesion infermiere, e cila u gjet e pajetë, me fyt të prerë më 14 Shtator 2013 në lagjen nr 3 në Durrës, në garazhin e pallatit ku banonte. Një ngjarje e cila mbeti për vite të tëra e pazbardhur, por që vetëm rrëfimi i Nuredin Dumanit, mundi të hedhë dritë se kush e kërkoi vrasjen e saj dhe pse porositësi ishte i interesuar të eleminonte, nënën e cila kërkonte vazhdimisht drejtësi për të birin e ekzekutuar në vitin 2012.
Dhe që ishte kthyer në shqetësim për autorët. Porositësi i kësaj vrasje do të ishte sipas Nuredin Dumanit, Festim Qoli. Ortak në një pikë karburanti me Ervis Dedën, që pas vrasjes së tij, do të eliminonte edhe nënën e tij. “Gjatë diskutimit Festim Qoli më tha: ‘Po më ngushton nëna e Ervis Dedes, kjo pasi po interesohet vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo më akuzon direkt’. Festimi më kërkoi nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Pas diskutimit, Festim Qoli më tha do të të jap 40 mijë euro po ta vrasësh Fatmirën. I thashë do flas me disa persona.”, tha Dumani. Sipas rrëfimit të mëtejshëm të Nuredin Dumanit, personi që kontaktoi për të kryer vrasjen e Fatmira Dedës, ishte Talo Çela. Në atë kohë i panjohur për bëmat e tij, por që më vonë emri i tij do të lakohej në shumë prej krimeve të rënda të ndodhura në Shqipëri.
“Nuk e di atë ditë apo më vonë por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela. Talon me sa mbaj mend e kam takuar tek lokali/servisi i Gent Sharrës, të cilin e kam njohur po nga Talo në Elbasan, pasi kishim kryer grabitje bashkë. Kam diskutuar me Talon dhe Gent Sharrën për këtë pjesë. I thashë që janë shumë lekë. Me thënë të drejtën unë i thashë që janë 30 000 euro, pasi doja të fitoja diçka më shumë. Talo e pranoi ofertën që i thashë për momentin.”, pohoi ai. Por ajo që vjen më pas në rrëfimin e Nuredin Dumanit është edhe më e frikshme. Dhe tregon mizorinë që shoqëronte vrasës të tillë. Ku Talo Çela nuk e kishte problem të vriste, qoftë kjo edhe një grua, në varreza. Ku një ndër bashkëpunëtorët në këtë krim ishte edhe Dorian Shkoza. I cili shumë vite më pas, më 2 mars 2020, do të mbetej i vrarë nga Talo Çela, në lagjen Nr. 14 Nishtulla në Durrës, bashkë me Anxhelo Avdian.
“Pas disa ditësh Talo erdhi dhe i tregova emrin, vendin dhe lëvizjet e Fatmira Dedes.Për ditë të tëra e ndoqëm Fatmirën bashkë me Talon. Ajo shkonte çdo mëngjes në varrezat e Durrësit. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj kemi futur dhe Dorjan Shkozën i cili kishte një makinë ‘Suzuki’ ose ‘Toyota’ me portobagazh të vjedhur ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte ne të dhënat ku ishte ku shkoi. Talo donte ta bënim tek varrezat pasi sipas tij krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova.”, theksoi i penduari i drejtësisë.
Por kjo ide duket se nuk i pëlqeu Festim Qolit, porositësit të vrasjes. I cili donte që vrasja e Fatmira Dedës të dukej si një grabitje e pastër.
Sepse në këtë mënyrë, ai mendonte se askush s’do të dyshonte tek ai… “Mbasi folëm me Festimin ai më tha që vrasja të bëhej tek garazhi pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje, kjo pasi aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Di që merret me ndërtim dhe është diku tek 50 vjeç.Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën. Për çdo lëvizje që bënte Fatmira unë flisja më të vëllain e Festimit, Petritin të cilin e informoja për çdo lëvizje, por jo për planin. Petriti na i dha telefonat për punë vëzhgimi, kur hyn dhe kur del Fatmira. Kështu që u vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën tek garazhi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit. Mua më ka thënë që ishte në Itali por nga biseda me të mësova se kishte qenë në Greqi.Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar që para se të kryhej vrasja ai duhet të ishte jashtë shtetit. Kjo me qëllim që policia mos të kishte dyshime tek ai. Petriti, vëllai i Festimit na dha 2 telefona Nokia të vjetër. Një për mua, një për Agronin. Me qëllim që të vëzhgonim kur dilte dhe kur hynte Fatmira në pallat.”, tha Dumani.
Nuredin Dumani rrefen më tej se e zuri gjaku kur pa dhunën brutale që Talo Çela ushtroi ndaj Fatmira Dedës. Së cilës i dha fund me një thikë në qafë. “Ditën e ngjarjes shkuam me ‘Suzukin’. Talo kaloi tek pjesa mbrapa e makinës që ishte me xhama të zinj. Unë isha shofer i mjetit.
Kemi bërë rrugën dhe po prisnim tek hyrja e garazhit. Me vete kishim një pistoletë TT dhe një thikë të cilën e mbante Talo Çela. Talo kishte doreza dhe kapuç, ndërsa unë kam pasur vetëm doreza edhe një triko sportive me kapuç dhe kapele, mesa mbaj mend pasi unë isha në timon. Goni na bëri mesazh që Fatmira kishte dalë dhe e dinim që do kthehej. Agroni na jepte të gjitha informacionet kur hynte dhe dilte Fatmira. Ajo lëvizte me Citroen C4 dhe ishte lehtësisht e verifikueshme. Kemi pritur kthimin e saj rreth 1 orë dhe e pamë që erdhi. Sapo e pashë u nisa menjëherë mbas saj me makinë tek garazhi. Hymë njëkohësisht në garazh. Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Në këtë moment unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete po se përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eliminuar. Ajo ishte e shtrirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushta dhe shkelma kur ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë.Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte pasi donte të dukej jo si vrasje por si grabitje prandaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti çantën, nuk e di se çfarë kishte brenda se kam parë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës.”, nënvizoi Dumani. Por edhe pse thotë se e zuri gjaku nga vrasja makabre që Talo Çela sipas tij i bëri Fatmira Dedës, Nuredin Dumani nuk e pati problem të pinte gjak me Festim Qolin, porositësin e vrasësit të saj dhe të bëheshin vëllezër përjetë.
“Pasi vramë Fatmirën, kemi shkuar me të njëjtën makinë deri në Plepa tek ura. Unë mora taksi tek Plepat ndërsa Talo mori makinën, ndërsa nuk e di ku shkoi më pas makina e ngjarjes. Vrasja më rëndoi shumë. Telefonin e hodha tek kanali i ujërave të zeza. Aty hodha dhe rrobat. Pas disa ditësh Petriti erdhi me një ML gri. Më tha dil tek nënkalimi i Shën Vlashit, aty bëmë një xhiro me ‘Benzin’ dhe më tha: ‘ja ku e ke pagesën’. Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që po shkoja ta takoja. Komunikoja vetëm me mesazhe. Talon e kam takuar tek ‘Pilafi’ në Bradashesh, Elbasan. I dhashë 30 000 mijë euro Talo Çelës dhe 10 000 euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jam takuar disa herë më mbrapa, por nuk e ka hapur asnjëherë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat së bashku, jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë time dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku.”, tha ai.