-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

100 vjet Bashkia e Konispolit

Kryesoret

Nga: Alket Veliu

Tradita është baza e personalitetit kolektiv të një populli. Në Konispol, vendbanimin 27 mijë vjeçar, i banuar që në periudhën e Paleolitit të Mesëm me një vazhdimësi të jetës qytetare në të gjitha periudhat historike, tradita nuk vdes kurrë, historia ripërtërihet dhe e ardhmja frymëzohet nga krenaria e papërsëritshme e brezave.

Qyteti i Konispolit shtrihet në skajin jugor të Sarandës, në pjesën e mbetur të Çamërisë së këtej kufirit, në një ballkon natyror spektakolar, me lartësi 300m nga niveli i detit, nga ku dominon një hapësirë të detit Jon, në trekëndëshin Korfuz-Gumenicë-Butrint. Qyteti ngjan si një mirazh i shndritshëm në mes të qytetërimit antik dhe modern. Emri i qytetit është një toponim sllav, “konj”- “kuaj” dhe “polie”-“fushë” (fusha e kuajve). Konispoli përmendet për herë të parë në burimet e shkruara në shek e VIII-të. Në dokumentat osmane të vitit 1431 përmendet si fshat-skelë me 26 familje , ndërsa në vitin 1582 kishte 321 familje. Gjatë sundimit osman Konispoli mori tiparet e një vendbanimi oriental urban. Në shek. XV u projektua pazari i shtruar me kalldrëm . Anash tij u ngritën më pas punishtet e zejtarëve, shtëpitë e tyre dy katëshe , kafenetë, restorantet dhe hanet. Gjatë shek të XIX qyteti mori një zhvillim më të madh urban, zejtar dhe tregtar. Në fillim të këtij shekulli qyteti kishte 400 shtëpi. Konispoli ka traditë patriotike, arsimore dhe kulturore.

Bartës i një trashëgimie origjinale, i ekzaltuar nga ndjenja patriotike, populli i Konispolit është shquar gjithmonë për zgjuarsi, të lidhur me bujarinë dhe shpirtin krijues. Si i tillë ka ditur si të mbijetojë dhe ka guxuar të veprojë gjatë periudhave të ndryshme historike. Nga banorët, patriotë dhe përparimtarë të kësaj zone janë bërë përpjekje për përhapjen e arsimit , kulturës dhe gjuhës shqipe për çeljen e shkollave nëpër fshatra etj. Në Konispol, prej fillimit të shek XVII dhe deri në vitin 1910 ka funksionuar një Medrese, me cikël 4- vjeçar, që e ndiqnin rreth 70 djem nga qytetet dhe fshatrat e Çamërisë. Më 1910 u hap Klubi Kombëtar dhe shkolla e parë shqipe , e cila u mbyll më 1911 dhe u rihap më 1916. Në vitin 1921 elemente përparimtare krijuan në Konispol shoqërinë “ Vllazëria Çame”.

Themeli i krenarisë dhe përkatësisë së një populli është bashkësia kulturore, trashëgimia kombëtare dhe përvoja unike e administrimit vendor, sipas gjedhes së kombit. Një organizim i mirë në shkallë komune apo bashkie rrit mirëqënien dhe ia përforcon themelet rendit shoqëror ekonomik.

Konispoli ka një traditë qindravjeçare të organizimit dhe funksionimit krahinor, sipas rregullave dhe ligjeve të kohës. Ndërsa Nënprefektura e Çamërisë, sot Bashkia e Konispolit, e cila mbushi një shekull, është një trashëgimi e përbashkët kombëtare.

Nga vilajetet osmane të vitit 1888, deri në formimin e shtetit shqiptar më 1912, Konispoli bënte pjesë në Vilajetin e Janinës (kazaja e Janinës).

Në vitin 1919 shteti i ri shqiptar krijoi në Konispol një qendër administrative të asaj kohe, të quajtur “Krahinori i Konispolit”, i cili përfshinte 18 fshatra, që prej Kullurice deri në Konispol. Krahinor i parë i emëruar nga Qeveria në Konispol, ishte Izet Maçi nga fshati Borsh, deri në vitin 1920.

Ai u zëvëndësua nga Lutfi Bektashi. Pas tij nga Asllan Përmeti dhe në fund u emërua Qamil Izet Çami, deri në vitin 1922, që funksionoi “Krahinori”.

Nënprefektura e Çamërisë (Konispolit) u krijua në maj të vitit 1922 dhe përfshinte 34 fshatra, që nga Theollogua deri në Konispol.

Populli i Krahinës së Konispolit e priti shumë mirë krijimin e Nënprefekturës së Çamërisë, me qendër në Konispol, si i vetmi qytet i Çamërisë, i mbetur brenda kufirit Shqiptar, nga ndarja e padrejtë që u bë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

Për këtë ngjarje iu dërgua një telegram Parlamentit shqiptar, deputetit të zonës Hyqmet Delvina dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (shih AQSH.f.609.d.194,v.1922), me këtë përmbajtje:

“Me gëzim të madh, populli i këtij rajoni, më 9 Maj 1922, me mbërritjen e nënpunësve të administratës, që formon Nënprefekturën e Çamërisë me qendër në Konispol, përkrah me të gjitha energjitë e tij zhvillimin e Bujqësisë, përparimin e Arsimit, zhvillimin e qytetit, hapjen e punëve dhe inisiativën e ngritjes së një godine qeveritare të Këshillit të Nënprefekturës së Konispolit”! Anëtarët e Këshillit që firmosën telegramin” ishin: Alush Taka, Mustafa Dalani, Rexhep Plaku, Elmaz Zejno, Haxhi Murati, Emin Kuçuku, Llodos Rakipi.

Nënprefekt i parë i Konispolit u emërua Rasim Kalakula dhe më pas, për vitet 1923-1924, u emërua Zenel Gjoleka, i cili u pasua nga Hasan Pilavi, Hasan Delvina, Ramiz Harxhi, Tafil Buletini, Zef Leka, Taip Hilmia, Filip Çeka dhe në vitin 1940 nga Ahmet Demi nga Filati.

Pas të ashtuquajturës Luftë Nac-Çlirimtare partizanët emëruan Taho Sejkon po nga Filati dhe pas tij Haxhi Halimin, deri në vitin 1948, kur Nënprefektura e Çamërisë, me qendër në Konispol, u eliminua nga shteti komunist.

Pra Konispoli ka qenë qendër e rëndësishme Administrative deri në vitin 1948. Me ndarjen e re administrative në vitin 1947 qarku dhe lokaliteti mori përdorim të gjerë. Në vitin 1954 Konispoli përfshihej në Qarkun e Gjirokastrës, në lokalitetin e Vagalatit. Pas vitit 1958 Konispoli i përkiste rrethit të Sarandës, gjer në vitin 1967, kur hyri në morfologjinë administrative një element i ri “fshati i bashkuar”, i cili zgjati deri në ndryshimet politike pas vitit 1990. Në datën 10 qershor të vitit 1992, në bazë të Nenit nr. 1 të Ligjit Nr. 7572, datë 10. 06. 1992 “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”, Konispoli u bë bashki, duke u renditur te 357 komunat dhe bashkitë e vendit. Ky status u ruajt edhe me miratimin e Ligjit Nr. 8653, datë 31. 07. 2000 në vitin 2000, kur u shkrinë 36 rrethet si njësi administrative dhe u krijuan 12 qarqe, kur ur mbetën 65 bashki dhe 309 komuna. Në datën 21 qershor 2015, Shqipëria u nda në 12 prefektura dhe 61 bashki, ku përfshihet edhe

Bashkia e re e Konispolit.

Bashkia e re e Konispolit ekziston vetëm falë PDIU-së, dhe këmbënguljes së kryetarit Shpëtim Idrizi. Në ndarjen administrative të propozuar nga qeveria Rama 1, Bashkia e Konispolit nuk ekzistonte, duke u copëtuar dhe bashkuar më pas Bashkisë së Finiqit (Livadhjasë që diskutohej atëherë) dhe Bashkisë së Sarandës. Bashkia e sotme e Konispolit është pjesa e mbetur e Çamërisë në Shqipëri. Me krijimin e Bashkisë Konispol, Çamëria është më e prekshme, pasi aty çamët që nuk lejohen të vizitojnë vendlindjen çlodhen e “krrejnë mall”. Qyteti është edhe një vend peligrinazhi, ku çamët priten me shumë dashuri nga konispolatët. Nga ana veriore e sheshit të qytetit ngrihet nje monument bronzi kushtuar viktimave çame të shpërngulur me dhunë pas Luftës së Dytë Botërore nga trojet e tyre në Çamëri.

Bashkia e Konispolit, në kufirin ndarës mes shtetit grek dhe Bashkisë minoritare të Finiqit, rrethuar me aureolën e bukur të maleve të Milesë, Saraqinit dhe Mullezit, është një barrierë e madhe ndaj depërtimit të influencës greke në Shqipëri. Ajo kufizohet në veri me Bashkinë Finiq, në perëndim me Sarandën dhe në jug me Greqinë. Bashkia e re përbëhet nga 3 Njësi Administrative, me disa fshatra: Xarrë, Dhjapuar (Butrint), Mursi, Çiflik, Shkallë, Shalës, Markat, Ninat, Janjar, Vërvë, Dishat. Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Konispol ka një popullsi prej 8,245 banorësh ndërsa sipas regjistrit civil ka 13,737 banorë. Sipërfaqja e bashkisë së re është 221.88 km2. Sipas të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 37.1 banorë për kilometër katror ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 61.91 banorë/km2. Dikur Konispoli ishte një bashki e vogël e lënë në harresë, tani një bashki e fuqishme në një rrugë të sigurt. Bashkia ka hyrë në rrugë të sigurtë zhvillimi, thotë kryetari Shuaip Beqiri. Është investuar ne infrastrukturë, në shkolla dhe në ujësjellesa, po sistemohet dhe harta kadastrale dhe po bëhet një plan urbanistik i plotë. Bujqësia dhe blegtoria janë në rrugën e duhur. Sektori që pritet të shpërthejë është turizmi.

Historia e krahinës së Konispolit, ashtu si historia e kombit, është historia e personaliteteve të saj. Ata nuk janë pak, që nga lashtësia e deri më sot. Krahina e Konispolit ka prodhuar kaq shumë figura historike, kombëtare e ndërkombëtare si : Hoxha Hasan Tahsini nga fshati Ninat, korife i Dijes, kryemёsues i tёrё lёvizjes kombëtare shqiptare, njё personalitet qё krijoi Universitetin e parё Osman dhe një alfabet në gjuhën shqipe. Haxhi Mehmet Dalani, legjendari nga Konispoli, Heroi i Libanit dhe i Kretёs, personalitet i shquar krahas Marko Boçarit dhe Ali Pashё Tepelenёs.

Po nga Konispoli, kemi Muhamet Kuçukun, me veprёn e tij kryesore “Erveheja”. Valltarin e madh e patriot Osman Taka. Me kёtё emёr njihet edhe vallja e tij, e cila ёshtё nje perlё botërore. Patriotin Alush Taka, i cili mori pjesё nё shpalljen e Pavarёsisё. Muharrem Rushitin, i shquar në lëvizjen popullore (1909-1920) si komandant i një çete mё 200 luftёtarё. Rexho Plakun, patriotin me influencё tё padiskutueshme, Haki Rushitin, Komandant i batalionit “Çamёria”. Daje Sakon, Merushe Nelon, Teme Sejkon, e të tjerë me radhë.

Pasuri e krahinës janë gjithashtu një numër i madh veprash të shkrimtarëve dhe studiuesve të saj të talentuar të shekullit të kaluar apo të ditëve të sotme. Mesazhe përfaqësimi dinjitoz ndër breza ka lënë Bilal Xhaferi nga fshati Ninat , shkrimtari disident, krijuesi brilant që ndriçoi si meteor në letërsinë shqiptare. Qamil Buxheli, nga fshati Pandalejmon i nёnprefekturёs sё Konispolit, shkrimtar i mirënjohur. Studiues si historiani Ibrahim D. Hoxha, Bashkim Kuçuku janë nga Konispoli.

Ajo që të trishton është se po përjetojmë tragjizmin e madh të harresës, të mospërfilljes së figurave historike e kombëtare. Figurat e shquara të krahinës së Konispolit po lihen në harresë, po humbin gjurmët e historisë, monumentet e kulturës janë kthyer në rrënoja e gjysmë rrënoja. Askush nuk kujtohet për këtë potencial sublim që e bën shoqërinë – shoqëri dhe kombin-komb. Të mbushen sytë me lot dhe të kap një dhimbje e madhe kur sheh si është rrënuar në Ninat shtëpia muze e Hasan Tahsinit të madh, e rrallë për nga arkitektura dhe për nga historia, e shpallur muze në vitin 1985. Dokumente, relike, harta, vepra arti, një arkiv i pasur botimesh e ribotimesh të veprave të tij, përfshi edhe orën e famshme diellore, nuk dihet se ku kanë përfunduar. Po përdhoset figura ideologut të Rilindjes Kombëtare shqiptare, dijetarit, filozofit, astrologut, filozofit dhe politologut të madh, atij potenciali të madh krijues, që do të mbijetojë në shekuj.

Shtëpia muze e Hasan Tahsinit, së bashku me shtëpinë muze të Bilal Xhaferit, të cilën e ka ndërtuar e motra, Antika Hoxha, me shpenzimet e saj modeste, do të ishin fare mirë destinacion i turizmit kulturor.

Në gjendje të mjerueshmë është katandisur edhe shtëpia e vallëtarit të famshëm Osman Taka. Asnjë ndërhyrje restauruese nga shteti në qytetin e Konispolit me 2500 banorë. Konispoli humbi pazarin dykatësh, ku ushtronin aktivitetin rreth 40 zejtarë, Medresenë, portat historike, rrugën mesjetare me kalldrëm dhe një trashëgimi të pasur jomateriale.

Populli i bashkisë së Konispolit ka një histori me gjurmë të thella. Zot në shtëpinë e vet, në habitatin e vet, sheh përpara nga e ardhmja me atdhetarizëm, pa nacionalizma. Ai jeton jetën e vet, aq afër maleve dhe detit, sa mjafton të shtrihet dora për të këputur një copë të kupës së qiellit dhe për t’u ushqyer.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit