-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fitorja e Mourinjos dhe ajo e Saliut

Kryesoret

Nga Pëllumb Kulla

Mourinjo fitoi finalen e madhe të Europa Ligës, kurse Saliu ynë, në përfundim të votimeve në partinë e tij u zgjodh kryetar.

Duket si përçartje përqasja e këtyre dy fitoreve. Ato janë të ndryshme në gjithëçka, por në të vërtetë ky shkrimth ka lindur mbi një element që i bashkon: stadium, ku filloi triumfi i Saliut dhe përfundoi ai i Mourinjos.

Ishin vërtet spektakël i rrallë vuajtjet e trainerit të madh romanist, por edhe tabloja e madhe e tifozëve që e kapëcyen detin. Spektakulare është të shohësh vogëlushë të përlotur, burra të thinjur që qajnë e të këputin shpirtin. Kënaqësia e këtyre pamjeve bëhet vërtet e rrallë, kur burrat që vuanin, befas, në bilbilin që u dekreton fitoren, çirren si të çmëndur me gojë të çapëlyera e duke puthur e përqafuar, me të njohur e të panjohur që gjejnë përqark.

Me aq sa kam parë e bluar në mend, mua më është krijuar bindja se ky gëzim shkallues, kjo gjëndje triumfale, ky shpërthim i papërmbajtur, vjen nga përfundimi i një pritjeje të ankthshme, është pjellë e vuajtjes torturuese, i një pasigurie të zgjatur në fitoren e dëshiruar. Sa më e madhe vuajtja, sa më kërcënuese pasiguria, aq më shpërthyes dhe i papërmbajtur është gëzim i fitores.

Që në vigjilje të ndeshjes, Mourinjo u pa që i trembej kundërshtarit dhe pastaj gjatë ndeshjes shfaqte nervozizëm, ngaqë nuk ishte i sigurt për ruajtjen e rezultatit deri në sekondën e fundit të minutës së fundit.

Gëzimi i Sali Berishës në fund të votimeve për të, ishte më i madh. Njerëzit që e pritën si triumfator nuk ishin në një stadium, a në ndonjë arenë, por u mblodhën dhe festuan në palcë të mezit të natës duke krijuar dhe ata me fitoren e tyre një spektakël mbresëlënës.

Shquhej lehtësisht që ishte një spektakël i menduar, i inskenuar për të përcjellë rreth e qark vendit idenë se kishim te bënim me një 1992-sh të ri, bile edhe më shumë! Fitimtari vetë tha se në historinë e shqiptarëve kishte ndodhur, një mrekulli!

Ishte pra, edhe kjo një finale e mbyllur me fitore për të impresionuar shqiptarë, amerikanë dhe gjermanë tok. E sidomos për t’ia bërë të vështirë Apelit vendimin që gatitet të marrë.

Ishte fitore, por gëzimin ky triumf e kishte të shtirur. Se ndryshe prej fitores së Mourinjos, kësaj të Saliut i mungonte vuajtja, i mungonte rreziku i humbjes, i mungonte pasiguria gjatë atyre ditëve përpara votimeve.

Fitimtari i zgjedhjeve në asnjërën nga sekondat e fushatës së tij të palodhur, nuk pat dyshuar në fitore. Ai kurrë nuk e pati pasigurinë se “Feyenordi” i tij kundërshtar do ta barazonte, jo më ta mposhtëte, jo e jo! Sfidantit të tij ai nuk i pat hapur asnjë fushë, ku ta ndeshte dhe ta mposhtëte. Dhe ta dërmonte këtë grindavec që kish vite që i vinte në dukje njëqind mëkate partisë që identifikohej me emrin e tij. Saliu as e shkoi nëpër mend, që siç është e natyrshme në përballjet zgjedhore demokratike anembanë rruzullit, t’i jepte edhe kësaj, ngjyrat e garës, ta ftonte fv. rivalin në debat në sytë e atyre që do t’u jepnin votat. Nuk e bëri këtë jo se e përçmonte, por sepse e kishte frikë.

Po, po: rivalin e tij ai hiqej sikur e shpërfillte, por në të vërtetë i trembej! Jo se ai vërtet do t’i merrte spektrin, jo! Por është një bindje absolute, se në një debat elektoral, atë e mund thuajse çdo anëtar nga ata të këshillit që ka formuar në kuvendin e tij! E jo më zoti Elezi gjuhëmprehtë, që do dinte të artikulonte kritikë të fisme. Aq më shumë që për vete Elezi nuk kish asnjë thembër Akili, nga ato thembra, që kundërshtari i tij i kish të panumurta.

Shkurt, zoti Berisha e dinte që do të fitonte. Këtë rezultat e dinte dhe Ibsen Elezi. Që lideri historik do të fitonte, këtë e dinin të gjithë ata që nuk i vajtën në kuvend, e dinin dhe besnikët që kryesojnë ato gjasme-partitë aleate. Fitoren e Saliut nuk e vinin në dyshim jo vetëm fshatarët shqiptarë por as edhe fshatarët amerikanë.

Vetë triumfatori i zgjedhjeve të 22 majit nuk kish se si të mos e dinte se në fund të asaj dite nuk ndodhi asgjë!

Pas nxjerrjes së rezultatit, atyre që e kishin votuar dashuria e jashtzakonshme që kanë për të, nuk iu shtua asnjë çikë më shumë. Nuk iu shtua ajo as miqve dhe as familjarëve.

Ata që nuk e duan Saliun, pas kësaj dite zgjedhore, për këtë njeri kanë po atë mendim që kishin një ditë më parë. Ishte pra një numërim i mërzitshëm fletësh votimi, që nuk solli asgjë të re.

E si mund të brohoritet një fitore e tillë?!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit