Shtatë vjet pas rënies së ish-presidentit të “turpëruar” të FIFA-s, Sepp Blatter, pasardhësi i tij Gianni Infantino, po fiton mbështetje të konsiderueshme në përpjekjet e tij për të fituar një mandat të tretë në detyrë.
Në vitin 2015, oficerët e policisë hynë në hotelin me pesë yje “Baur au Lac” në Zyrih, ku zyrtarët ishin mbledhur për takimin vjetor të FIFA-s, për t’i dhënë fund në mënyrë efektive mbretërimit të Blatter-it mes akuzave për korrupsion.
Infantino, i cili u zgjodh president i FIFA-s më 26 shkurt 2016, ka udhëhequr reforma të gjera brenda organit qeverisës të futbollit botëror për të ndihmuar organizatën të largohet nga reputacioni i saj i dyshimtë.
Ndërsa, Infantino përpiqet të marrë një mandatë të tretë, Këshilli i Shoqatave të Futbollit të Afrikës Jugore (COSAF) mbështet rizgjedhjen e tij.
Artur de Almeida e Silva nga Angola, i zgjedhur së fundmi president i COSAF, tha “Ne besojmë se Gianni Infantino përfaqëson kandidatin më të mirë për të udhëhequr futbollin global për katër vjet të tjera”.
“Ai ka shfaqur vazhdimisht dëshirën e tij për të rritur futbollin afrikan dhe i ka mbështetur fjalët e tij me veprim”, vijoi ai.
Në fillim të këtij viti, Konfederata Aziatike e Futbollit i ofroi mbështetjen e saj Infantino-s.
Presidenti i AFC-së, Shaikh Salman bin Ebrahim Al Khakifa tha se “AFC dhe familja e futbollit aziatik mirëpresin ofertën e Presidentit Infantino për rizgjedhjen dhe unë mund ta siguroj atë sot se ne do të qëndrojmë të bashkuar prapa kandidaturës së tij”.