Ish-kryeministri Sali Berisha sot Enkelejd Alibeajt i ka kujtuar faktin që e bëri ministër të Drejtësisë në vitet 2007-2009. Kryetari i PD-së, tha se Alibeaj, që sot i ka dalë kundër, ka harruar që ka pasur funksione në qeveri.
“Një sharlatan që ka mungesë totale respekti për veten e tij, keqpërdoret nga Edi Rama, harron që ka pasur funksione të rëndësishme edhe në qeveri dhe kur bën akte të tilla vetëm sa shkelmon veten e tij” tha ai.
Një përgjigje e kishte edhe për Gazment Bardhin, që sot tha te Komisioni i Ligjeve, se PS votoi Simon Mirakën, si propozim të Sali Berishës për anëtar të Autoritetit të Dosjeve.
“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij. Unë e kuptoj luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por është i pa shpresë. Të zbardhë njëherë, të mos i thurë lavde SPAK-ut, se do i hapim këtë apo atë shans, por të zbardhë rolin e tij në vrasjen në Elbasan.
Askush nuk është për t’u vrarë në konceptin tim. Ne nuk kemi dënim me vdekje. Bardhi dhe Balla janë përgjegjësit direkt për atë gjakderdhje në një lagje, që mund të mos ketë pasur gjakderdhje ndonjëherë. Para se të merret me këto të jap sqarime” tha ai.
Tre komisionet që propozoi me emra konkretë dje Enkelejd Alibeaj, Berisha nuk i njeh. “Komisionet janë loja e ulët e Ramës me pseudo-opozitën” tha ai.