-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Seferi dhe Çekiçi vendosin objektivat e kombëtares: Duam vendin e parë

Kryesoret

Taulant Seferi dhe Endri Çekiçi, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për media, në kuadër të sfidave zyrtare të Ligës së Kombeve, ndaj Islandës dhe Izraelit, e më pas miqësores ndaj Estonisë. Dy kuqezinjtë kanë folur për objektivat e skuadrës për këto ndeshje të rëndësishme, duke theksuar se Shqipëria do të tentojë vendin e parë.

Taulant Seferi rikthehet sërish në Kombëtare, teksa nuk e fsheh gëzimin që ka marrë një ftesë nga trajneri Reja. Sulmuesi kuqezi shprehet se është i fokusuar totalisht te Kombëtarja, ndërsa flet edhe për sfidën e parë ndaj Islandës dhe planet në të ardhmen.

Objektivat e skuadrës në këto sfida – Në ndeshjet e marsit, Kombëtarja ka bërë shumë ndeshje të mira dhe siç e dini ju, në Ligën e Kombeve jemi ngjitur në një Ligë më lart, nga B në C dhe objektivi ynë në këtë fazë është të dalim në vendin e parë dhe unë kam parë një grup shumë të mirë dhe jam besimplotë se do të bëjmë një hap të mirë.

Titulli kampion me Tiranën dhe sfidat e Ligës së Kombeve – Jam shumë i lumtur që u shpallëm kampion, festa mbaroi atë ditë pas ndeshjes. Jam i fokusuar te Kombëtarja dhe jam shumë i lumtur që trajneri më ka ftuar dhe jam duke u përgatitur për ndeshjet e radhës. Ne jemi profesionistë dhe nuk guxojmë që të na bjerë ritmi. Duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe të përgatitur, kështu që do të përgatisim dhe do të jemi të freskët dhe 100% për ndeshjet e radhës.

Konkurrenca në skuadrës– E di që konkurrenca është e fortë, por në fund të fundit kam ardhur këtu për të bërë maksimumin dhe është trajneri që vendos se cili do të luajë. Unë kam dëshirë të luaj dhe do të bëj maksimumin që të fitoj besimin e tij dhe të marr minuta.

Islanda? – Është një kundërshtar që duhet vlerësuar, por ne do ikim aty për 3 pikët dhe për të marrë maksimumin. Duhet të jemi të përgatitur dhe të shkojmë për fitore.

Planet e mia për të ardhmen? – Është shumë herët. Në këto 15 ditë jam i fokusuar vetëm te Kombëtarja dhe nuk e kam mendjen te merkato. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë.

A është ky momenti më i mirë në karrierë? – Po, kam bërë një sezon shumë të mirë dhe ndihem shumë mirë. Kam bërë paraqitje të mira dhe kam bërë shumë gola dhe jam shpallur kampion. Edhe se jam në Kombëtare jam shumë i lumtur dhe besoj se kam për të dhënë edhe më shumë sepse për mua është vetëm fillimi. Më herët siç e dini kam pasur edhe dëmtime, dhe nuk kam qenë i qëndrueshëm, por tani e kam marrë veten dhe do të bëjmë edhe gjëra të mira.

A do të luaj në këto ndeshje? – Të gjithë këtu janë profesionistë. Vendimi i takon trajnerit dhe në stërvitje do të jap 100%. Do të mundohem siç thashë të fitoj besimin e trajnerit dhe pastaj është ai që vendos. Nëse ai më jep minuta do të jem shumë i lumtur dhe do të bëj maksimumin.

Me kë kombinohem më mirë në sulm? – Ata që ka marrë trajneri dihet se janë më të mirët. Kështu që nuk e kam problem, me cilindo lojtar që do të jem në fushë do të ndihem mirë, pasi janë të gjithë profesionistë.

Sakaq, Endri Çekiçi, mesfushori shqiptar që luan në kampionatin turk ka bërë një sezon mjaft të mirë me ekipin e Koniasporit, duke shënuar edhe gola. Çekiçi ndalet te sezoni me skuadrën e tij në Turqi, ndërsa flet edhe për objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion. Përjashtimi i Rusisë, vendi i parë në grup, Europiani 2024, mungesa e Laçit dhe Bares si dhe pika e fortë e Shqipërisë ishin disa nga pyetjet që Çekiçi i dha përgjigje.

Sezoni me Koniasporin – Që nga momenti që u transferova te Konyaspor, ndihma e Sokolit dhe Zymerit ka qenë shumë  e madhe, duke qenë se kemi një marrëdhënie shumë të mirë jashtë fushe dhe në fushë na ka ndihmuar shumë. Që në fillim të sezonit e pamë që do kishim një sezon të suksesshëm dhe vazhduam ashtu. Vendi i tretë në kampionat, edhe pse po shpresonim për vendin e dytë, por në fund ishte një sezon shumë i suksesshëm.

Statistikat me Olimpian dhe në Turqi – Besoj edhe shifrat janë të përafërta, njësoj si tek Olimpia, por kampionati turk është më i fortë, qoftë nga ana fizike, qoftë nga kualiteti i lojtarëve. Nëse shohim emrat e lojtarëve në atë kampionat, besoj se flet gjithçka.

Aspekti fizik dhe kombëtarja – Në aspektin fizik jam përmirësuar shumë që nga transferimi në Turqi. U bënë dy sezone dhe këtë e kam shfaqur edhe në fushën e lojës. Sa i përket Kombëtares, gjithmonë kam qenë gati. Është trajneri ai që e vendos se kush do të luajë. Në momentin që jemi në fushë, është e rëndësishme që kush do që të jetë të japi 100%.

Fitorja e fundit me Islandën? – Duhet ta lëmë mbrapa. Kanë kaluar dy vite nga ajo fitore. Ne jemi një ekip tjetër, ata janë një ekip tjetër. Është një ndeshje e re. Duhet të hyjmë që nga minuta e parë të fokusuar dhe të harrojmë atë që ka kaluar.

Më i lehtë grupi pa Rusinë dhe vendi i parë në grup– Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë disi më të lehtë grupin. Kemi dy kundërshtarë që jemi pak a shumë në të njëjtin nivel. Ne duhet të hyjmë për vendin e parë. Kemi parë që në ndeshjet e fundit e kemi rritur shumë nivelin. Kemi shumë lojtarë të rinj që po luajnë në klube të mira dhe kemi shumë besim që do ia arrijmë qëllimit. Nëse dalim të parët në grup, kjo na jep edhe një mundësi më shumë për t’u kualifikuar në Europian, që është objektivi ynë kryesor. Kështu që vendi i parë duhet të jetë qëllimi ynë.

A e rrit presionin fakti që vendi i parë është detyrë? – Besoj se jo, pasi siç po e thoja edhe më parë, kemi lojtarë që luajnë në klube shumë të mëdha dhe janë mësuar me presionin. Besoj se nuk do kemi problem.

Si do të jetë Shqipëria pa Baren dhe Laçin? – Bare dhe Laçi janë dy lojtarë të rëndësishëm dhe me kualitet. Por, lojtarët e tjerë, Gjasula, Asllani, Bajrami, unë, duhet të japim maksimumin që të arrijmë qëllimin tonë. Shpresoj se Keidi dhe Laçi do të bashkohen në grumbullimin tjetër.

Pika jonë më e fortë? – Besoj se në këto momente, harmonia në grup. Kur shikoj çunat, të gjithë janë të kënaqur, të gjithë janë të qetë dhe besoj se kjo do jetë pika jonë më e fortë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit