Autoritetet amerikane thanë se një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë në një festival në natyrë në Oklahoman lindore. Byroja Federale e Hetimit në Oklahoma bëri me dije se mes personave të plagosur janë dhe dy fëmijë të mitur.
Dëshmitarët thanë se një debat i parapriu të shtënave me armë pak pas mesnate, ndërkohë që për ngjarjen nuk është arrestuar ende asnjë person.
“Dëgjuam shumë të shtëna dhe në fillim menduam se ishin fishekzjarre,” tha Sylvia Wilson, pronarja e lokalit Taft’s Boots Cafe, e cila ishte në biznesin saj atë kohë për t’i shërbyer një numri të madh vizitorësh që kishin ardhur për të festuar Ditën e Përkujtimit.
“Pastaj njerëzit fillouan të vrapojnë dhe të rrëzohen. Ne u bërtisnim të gjithëve … ‘Zbrisni! Uluni!”, tha Wilson për AP.
Në festival ishin të pranishëm rreth 1500 persona. Wilson vlerësoi se kafeneja e saj ishte 30 m nga vendi ku nisën të shtënat. Ajo shtoi se forcat e rendit ishin në vendngjarje për të ndihmuar me sigurinë e festivalet dhe se oficerët reaguan shpejt ndaj të shtënave.
“Ne jemi të mërzitur,” tha Wilson, duke shtuar: “Gjithçka po kthehet në normalitet. … Rreziku ka kaluar.”