Pekini po vepron në mënyrë gjithmonë e më agresive në zonën e Detit Jugor Kinez. Kinezët kanë zyrtarizuar gjatë javës një seri stërvitjesh duke mbyllur fluturimet në një zonë rreth 100 kilometër katrorë, pothuajse përballë Taivanit, por edhe një stërvitje të përbashkët me forcat ruse.
Por një video që po qarkullon dhe i referohet datës 24 maj, tregon se testime të rëndësishme dhe të padeklaruar po vijojnë prej kohësh në atë zonë.
Video, që sipas ekspertëve ushtarakë është i vërtetë dhe i pamodifikuar, tregon pilotët e një avioni pasagjerësh të tipit Boeing 777 të kompanisë Cathai Pacific që filmojnë një situatë sureale, hedhjen e një rakete balistike shumë afër tyre.
Një testim i tillë duhet të deklarohet përpara për të “pastruar” hapësirën ajrore dhe shmangur tragjeditë, por në rastin konkret asnjë sinjal i tillë, që në kod cilësohen si NOTAM, i është dhënë kompanive që fluturojnë në atë zonë.
Avionit i është duhur të ndryshojë trajektore vetëm pak minuta para hedhjes së raketës, pas një sinjalizimi të kullës së vrojtimit, por mjeti fluturues ishte gjithsesi afër mjaftueshëm për të xhiruar një video të qartë të hedhjes së raketës, nga nëndetësja deri në zhdukjen e saj në horizont.
Ekspertet ushtarakë, flasin për një raketë balistike kineze të tipit JL-3, i hedhur nga një nëndetëse e klasit 094 në përdorim të ushtrisë së Pekinit. Raketa JL-3 shihet si një armë e gjeneratës së tretë në dorën kineze, ende në testim dhe që mund të godasë objekte larg edhe 9 mijë kilometra, duke mbajtur deri ne 7 bomba bërthamore brenda saj.