Ministria e Financave ka hartuar projektligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat. Me të drejtë lind nevoja për një ligj të ri, pasi i pari është miratuar që në vitin 1998 dhe, që nga ajo kohë, është amenduar shumë shpesh. Ligji u tentua të hartohej që në vitin 2015, por për shkak të kundërshtimeve që hasi në atë kohë nga grupet e interesit dhe problemeve me terminologjinë dhe kompleksitetin, u la në heshtje.
Edhe drafti i ri, i cili ende nuk ka një formë përfundimtare, po has sërish në shumë debate.
Në parim, ligji synon që të vendosë barazinë tatimore dhe të zgjidhë shmangiet tatimore që deri tani kishin lindur nga shtigjet e shumta që mundësonte ligji i deritanishëm. Konkretisht, teksa tatimi mbi pagën arrin deri në 23% (për nivelet mbi 200 mijë lekë në muaj), tatimfitimi për bizneset e vogla ishte zero. Kjo bëri që shumë individë me paga të larta, të dilnin nga skema e sigurimeve dhe të regjistroheshin si të vetëpunësuar, që të shmangnin tatimin deri në 23%.
Drafti i ri synon që të zgjidhë këtë shmangie, duke përjashtuar nga norma e tatimit mbi të ardhurat 0% – që aplikohet për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar, si dhe enitetetet me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit – të vetëpunësuarit, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. (Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave).
Pas zbritjes së disa shpenzimeve, profesionistët e lirë do të tatohen njësoj si të punësuarit me pagë. Ekspertët, e konsultuar nga “Monitor”, thanë se nuk mund të ekzistojë barazia e statuseve të një punëmarrësi dhe një të vetëpunësuari. I pari ka përgjegjësi vetëm ndaj punëdhënësit. I dyti, si person fizik, përgjigjet ndaj klientëve, furnitorëve, qiradhënësve, qeverisë me dhjetëra inspektorate, bankave e institucioneve financiare.
Problemi i dytë lidhet me një nen, që i njeh të drejtën individit tregtar, ose të vetëpunësuar, që nuk i kalon 10 milionë lekë në vit, të katë të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme, nga 35-90%, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet. Pronarët e të gjithë bizneseve në vend do të paguajnë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2.4 milionë lekë dhe për të ardhurat mbi 2.4 milionë lekë, tatimi do të jetë 23%.
Ndërkohë tatimi mbi të ardhurat e bizneseve të tjera të vogla do të vijojë të jetë zero deri në vitin 2029, por sërish pronarët e tyre do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale! (një njëfarë mënyre, apo në tjetrën, duket se pronarët e subjekteve të vogla do të paguajnë më shumë, ndonëse tatimi për biznesin e vogël do të vijojë të jetë zero).
Përcaktimi apriori i përqindjes së shpenzimeve që i zbriten një subjekti është një ndërhyrje e rrezikshme e shtetit, dhe heqje dorë nga mbajtja e të dhënave të biznesit, në një kohë që vitet e fundit janë shpenzuar me miliona euro për reformimin dhe informatizimin e sistemit tatimor. Reforma më e fundit ishte fiskalizimi, me rreth 70% të subjekteve tashmë të përfshirë në këtë sistem dhe të tjerët (kryesisht të vegjël), që pritet ta përfundojnë brenda qershorit ‘22.
Sërish, drafti nuk parashikon marrjen parasysh të të dhënave faktike, por e vendos apriori nga zyra e tatimorëve, ndonëse subjektet mund të kenë shpenzime reale më të larta sesa përqindjet e caktuara apriori nga ligji.
Përveçse “hedh poshtë” investimet dhe përpjekjet e administratës tatimore, që nëpërmjet faturës elektronike të gjurmojnë aktivitetin real të biznesit, ai lë shteg për abuzime, evazion dhe shmangie, pikërisht elementet që projektligji i ri synon të adresojë.
Kur vetë shteti vendos kritere të tilla absurde, kjo lë shteg për më shumë interpretim, që në segmentin e biznesit të vogël dhe shumë të vogël, me fuqi të dobët mbrojtjeje përballë autoritetit tatimor, bëhet i pranishëm rreziku i abuzimit nga tatimorët, duke i hapur rrugën më tej evazorëve dhe korrupsionit.
Në një vend, ku mbizotërojnë sipërmarrjet mikro dhe të vogla, ligjet duhen bërë sa më të thjeshta, të qarta, në mënyrë që të zbatohen drejt dhe sidomos të mos lënë shteg për abuzim nga tatimorët. Sa më të komplikuara të jenë rregullat fiskale, që në këtë rast duket se po bëhen për të kamufluar pagimin e më shumë taksave nga më të vegjlit, aq më tepër do të nxitet evazioni, ose do të shtyhet kjo shtresë drejt varfërisë, duke rrezikuar të japë efekt të kundërt me atë që pritet.
Ministria e Financave i tha “Monitor” se drafti përfundimtar do të jetë gati në fund të kësaj jave dhe do të fillojë konsultimet me grupet e interesit. Sipas Financave do të ketë ndryshime të ndjeshme në skemën e taksimit të biznesit nga ky variant paraprak.
Shpresa është që Financat do të reflektojnë për të përmirësuar boshllëqet, shtigjet dhe tatimet e kamufluara që parashikon drafti paraprak i tij, duke mos u fshehur pas gishtit, apo mbas justifikimit të përhershëm se na tha FMN-ja.
“Monitor” paralajmëroi me kohë që favorizimi i një grupi biznesesh klienteliste të qeverisë, që çoi në ngurtësim të një pjese shpenzimesh, si dhe rritja e shkallës së hyrjes në borxh, do të përballohej me rritje të barrës tatimore për pjesën joklienteliste të biznesit dhe të varfërisë për pjesën më të dobët, qytetarin biznes i vogël dhe qytetari jopunonjës administrate. Qeveria nuk vonoi shumë për këtë.Monitor