Inflacioni i Eurozonës arriti në një nivel të ri rekord prej 8.1 për qind në maj nga 7.4 për qind në prill, duke përkeqësuar më tej krizën e kostos së jetesës në të gjithë kontinentin, treguan të martën të dhënat paraprake të Eurostat.
Inflacioni e tejkaloi edhe një herë parashikimin mesatar prej 7.7 për qind dhe pritet të nxisë thirrje të reja që Banka Qendrore Europiane të veprojë më agresivisht për të frenuar presionet e çmimeve. Inflacioni po kalon me më shumë se katër herë objektivin e BQE-së prej 2 për qind.
Rritja u nxit kryesisht nga një shtrenjtim i mprehtë e çmimeve të energjisë (39.2 për qind, krahasuar me 37.5 për qind në prill), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (7.5 për qind, krahasuar me 6.3 për qind në prill) – komponentë që janë nxitur më tej. për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Inflacioni bazë – i cili përjashton komponentët e paqëndrueshëm si ushqimi, energjia, alkooli dhe duhani – u forcua ndjeshëm në 3.8 për qind në maj nga 3.5 për qind në prill. Inflacioni bazë shihet si një tregues kyç për presionet e çmimeve të brendshme dhe si një sinjal se goditjet e jashtme të çmimeve janë të qëndrueshme.

Inflacioni është nxitur nga pasojat e pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka bërë që çmimet e energjisë dhe të mallrave të rriten si dhe problematikat që u krijuan me ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit global gjatë periudhës së pandemisë, teksa heqja e kufizimeve të Covid-19 ka rritur kërkesën në të gjithë Evropën.
Politikëbërësit e BQE-së do të takohen në Amsterdam javën e ardhshme dhe pritet të bien dakord që rritja e inflacionit shumë mbi objektivin kërkon që ata të fillojnë të rrisin normat e interesit, të cilat kanë mbetur në norma negative që nga viti 2014, shkruan Financial Times.
Disa nga anëtarët më të kritik të këshillit drejtues të BQE-së kanë bërë thirrje që ajo të ndjekë politikën e Rezervës Federale të SHBA-së duke rritur normat me një ritëm më agresiv prej gjysmë pikë përqindjeje në korrik. Por të tjerë si presidentja Christine Lagarde e kanë nxitur atë të lëvizë “gradualisht” duke rritur normat me një çerek pikë përqindjeje në korrik dhe shtator.
Rritja e inflacionit, e cila arriti një rekord të lartë në Gjermani prej 8.7 për qind, si dhe rritja në Francë, Spanjë dhe Itali, ka nxitur politikanët të shpallin masa për të kompensuar ndikimin tek familjet dhe bizneset dhe ka rritur presionin ndaj BQE-së për të vepruar.