Mbrojtja e Hashim Thaçit, ka parashtruar mocion ndaj akuzave të reja për krime lufte në Semetishtë dhe Budakovë, duke pretenduar se ato kanë defekte.
Mbrojtja ka kërkuar që të urdhërohet Prokurori i Specializuar që të ndryshojë aktakuzën në dritën e defekteve të identifikuara dhe nëse nuk mundet, të heqë ato akuza që janë deklaruar me të meta.
Përmes shkresës së mbrojtjes, është thënë se akuzat e reja të konfirmuara nga gjyqtari i procedurës paraprake më 22 prill 2022 janë të mangëta për shkak të mungesës së specifikës dhe gabimeve të rëndësishme në deklarim.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtja ka kërkuar të urdhërohet ofrimi i një specifike më të madhe për sjelljen që pretendon nga ana e Thaçit, në rast të dështimit të saj, që ZPS të urdhërohet të zvogëlojë, ngushtojë ose heqë akuzat.
“Është parashtruar, në përputhje me jurisprudencën ndërkombëtare, se kur defektet në aktakuzë shfaqen në fazën paraprake të gjykimit, ZPS nuk mund të përmbahet nga ndryshimi i aktakuzës duke argumentuar se do t’i korrigjojë të gjitha të metat përmes mbështetjes materiale ose të ngritur pas aktakuzës”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Mbrojtja konsideron se është përgjegjësi e ZPS-së që të informojë informojë Thaçin për rastin e saj.
“Atij nuk duhet t’i kërkohet që ta përpunojë atë duke bashkuar skemën e redaktuar shumë, materialin mbështetës ose dosjen paraprake për t’i bashkuar ato”.
“Kjo në mënyrë të palejueshme do ta zhvendoste barrën mbi Thaçin, duke shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë sipas nenit 21 të Ligjit, neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
“Do të duhet gjithashtu më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij nëse ai duhet të bashkojë çështjen kundër tij”, thuhet nga mbrojtja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas mbrojtjes, identiteti i viktimave duhet të deklarohet në aktakuzë, “pasi identiteti i viktimës është informacion i vlefshëm për përgatitjen e rastit të mbrojtjes”.