Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se ditën e shtunë mazhoranca do të propozojë vetëm një kandidat për ta votuar në Parlament si presidentin e ri të vendit.
Sipas Ballës, do zgjidhet një kandidaturë e atillë që edhe opozita do të donte ta votonte. Duke folur në emisionin ‘Opinion’ Balla tha se emri i presidentit të ri mund të dalë ditën e nesërme por procedura e regjistrimit ka afat deri në orën 12 të ditës së shtunë.
Biseda:
Ai i riu i listës tuaj si do të jetë? Do te jetë politikan aktiv?
Balla: Do të jetë tërësisht i kundërt nga ajo që ka qenë Ilir Meta. Këtu i keni të gjitha pastaj
I kundërt në aspektin fizik apo në aspektin politik?
Balla: Të jesh tërësisht i kundërt nga Ilir Meta do të thotë të kesh respekt për Kushtetutën, do ët thotë që të respektosh parimin e ndarjes së pushteteve, edhe pse presidenti nuk është një prej pushteteve. E kemi thënë që ne duam një president që të respektojë parimet kushtetuese, të qëndrojë mbi palët .
A ka politikanë apo nuk përfshihen politikanë aktivë?
Balla: Ne e kemi thënë që në ditën e parë, që nuk duam një politikan aktiv, nuk do të donim të kishim një anëtar të Kuvendit. Kjo ka qenë një prej tezave që donim të uleshim në negociata me opozitën. Ditën e shtunë presidenti do të zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës.
Do të keni dy kandidatura në seancë apo një kandidaturë të vetme?
Balla: Një kandidaturë. Besoj se kandidatura që do të shkojë PS-ja ditën e shtunë që mendoj se edhe deputetët e opozitës kanë arsye për ta votuar.
Nesër do të merret vesh emri i presidentit?
Balla: Nesër pasdite ndoshta, duhet të kalojmë edhe tek vendimmarrja e grupit parlamentar të PS-së. Procesi i regjistrimit përmbyllet ditën e shtunë ora 12:00.