Leja e re e qarkullimit të mjetit, që prej të hënës më 6 Qershor do të jetë plotësisht në standardet e BE-së. Kështu ka bërë të ditur Kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në Facebook. Sipas tij do të unifikohen përfundimisht dokumentet e mjetit në një të vetme.
“Stop orvatjeve dhe me një pagesë ku kostot ulen me 40%, tashmë leja e re e qarkullimit unifikon përfundimisht dokumentet e mjetit në një të vetme. Leja e re nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit”, shkruan Rama.
Aktualisht, qytetarët paguajnë 3,500 Lekë së bashku për lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Por leja e re e personalizuar e dokumentit të ri unik do të kushtojë 2,100 Lekë.
Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, për rrjedhojë nuk do bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale si dhe nuk do të ketë afat vlefshmërie. Gjithashtu eliminon nevojën për lejen ndërkombëtare të mjetit.
Qytetari që udhëton jashtë vendit lehtësohet nga kosto dhe kursen kohë, sepse aktualisht i duhet që çdo 3 vjet të kërkojë e paguajë leje ndërkombëtare.