-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Euro bie poshtë 120 lekëve, i afrohet sërish minimumit historik

Kryesoret

Euro ka humbur sërish terren në kursin e këmbimit me Lekun ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro ra poshtë kufirit të 120 Lekëve dhe iu afrua edhe një herë nivelit minimal historik, që kishte shënuar në muajin maj.

Euro u këmbye të martën me 119.92 Lekë, shumë pranë vlerës prej 119.91 Lekë të regjistruar në 23 maj dhe që përfaqëson nivelin më të ulët të të gjitha kohërave në kursin e këmbimit Euro-Lek.

Sipas agjentëve të tregut valutor, oferta e Euros në treg paraqitet e lartë. Finalja e Ligës së Konferencës solli në Tiranë disa dhjetëra mijëra turistë dhe prurjet valutore vlerësohet se kanë hyrë gradualisht në tregun e këmbimit në dy javët e fundit.

Mbi të gjitha, në këtë treg duket se po bëhet gjithnjë e më i prekshëm edhe elementi sezonal. Me nisjen e sezonit veror, turizmi hyrës dhe sidomos ai bregdetar po ndikojnë në rritjen e prurjeve dhe të ofertës së monedhës Europiane në tregun valutor shqiptar.

Po t’i referohemi tendencave historike të sezonit veror, ka të ngjarë që nënçmimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun të vijojë më tej. Këto të dhëna tregojnë se kulmi i efektit të sezonit veror në kursin e këmbimit valutor arrihet zakonisht mes fundit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht.

Nëse kjo tendencë do të konfirmohet edhe këtë vit, është e pritshme që kursi Euro-Lek më tej të shënojë rekorde të reja në rënie; gjithmonë në rast se kursi nuk ndikohet nga zhvillime të paparashikuara.

Oferta e lartë e Euros dëshmohet edhe nga rritja e vazhdueshme e depozitave bankare në monedhën Europiane. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill depozitat në Euro arritën shifrën rekord të 5.57 miliardë Eurove, në rritje vjetore me 19%.

Nga ana tjetër, agjentët shprehen se kërkesa për Euro vijon të jetë e vakët. Në muajt e parë të këtij, efekti i rritjes së çmimeve të mallrave në deficitin tregtar të vendit ka qenë më i zbutur. Për periudhën janar-prill, deficiti tregtar është rritur me 6% me bazë vjetore.

Deri tani, zgjerimi i tij është ndjeshëm më i ulët krahasuar me vitin 2021, kur deficiti tregtar u rrit me pothuajse 30%.

Në muajt e fundit, është vërejtur një ulje e konsumit të disa prej mallrave që kanë qenë objekt i rritjes së fortë të çmimeve, si karburantet apo produktet ushqimore të shportës.

Kjo mund të ketë ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve, por, për disa artikuj të veçantë, edhe sepse konsumatorët kanë krijuar rezerva gjatë muajve të mëparshëm. Rritja më e ngadaltë e deficitit në mallra po lehtëson më shumë presionet mbi kursin e monedhës vendase.

Ky efekt është më i shprehur kundrejt Euros, që është monedha dominuese në transaksionet tregtare të vendit. Leku i fortë po rezulton edhe si amortizator ndaj inflacionit të importuar, duke e zbutur pjesërisht inflacionin e importuar në ekonominë shqiptare.

Forcimi i Lekut ndaj Euros favorizon subjektet importuese të mallrave dhe shërbimeve që blejnë në Euro dhe shesin në Lekë, por edhe subjektet që sigurojnë të ardhura në Lekë, ndërsa kanë detyrime në Euro, siç janë huamarrësit në valutë të huaj.

Qysh prej vitit të kaluar, po shënohet një rigjallërim i shpejtë i kreditimit në Euro, që vijon me rtime të larat edhe këtë vit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në katër muajt e fundit sektori bankar dha 365 milionë Euro kredi të reja, shifër kjo rekord për të paktën shtatë vitet e fundit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia e re në Euro është rritur me pothuajse 57%, rritje kjo ndjeshëm më e lartë se rritja mesatare prej 37% e kredisë së re në total, për të njëjtën periudhë.

Rritja e lartë e depozitave në Euro, normat e ulëta të interesit dhe, tashmë edhe pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit mund ta bëjnë edhe më tërheqës kreditimin në Euro për familjet shqiptare, sidomos në produktet e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Nga ana tjetër, nënçmimi i Lekut ka një ndikim afatshkurtër negativ tek eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve apo te subjektet që kanë kursime në Euro dhe shpenzime në Lekë. Mbiçmimi i mëtejshëm i Lekut mund të ngadalësojë disi ritmet e rritjes së eksporteve.

Sipas Instat, për 4-mujorin 2022 eksportet shqiptare u rritën me rreth 49%, ku një ndikim të lartë ka dhënë rritja e çmimit të lëndëve të para dhe e materialeve të ndërtimit. /Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit