Shumica socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjikë të qeverisë shqiptare në zonat bregdetare. Kërkesa bazohej te dy investimet në jug që përfitues janë bashkëshorti i ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe aktorit Gazmend Paja dhe portit të Durrësit. Por socialistët janë kapur me procedurat, konkretisht firmat e deputetëve në kërkesë për ta rrëzuar. “Grupi parlamentar i PD ka më shumë nevojë për të mësuar rregulloren. Në Konferencën e Kryetarëve debati që është bërë për këtë çështje ishte i qartë. S’të bën nder të ndërhysh, se je sekretar i PD-së.
Ta sqaroj unë. (I drejtohet Bardhit) Ka dy vlerësime, aspekti i përmbushjes së formës dhe karakterit formal të kërkesës. S’doja ta zhvilloja këtë debat me ju. Ska ndodhur në Kuvend që të marrësh firma nga një kërkesë të rrezuar dhe me të njëjtat firma të sjellësh një kërkesë të re. Kjo është përpjekje për falsifikim. Firma është një shprehje vullneti që shprehet një herë. Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transferosh në dokumentin tjetër. Aty ishin shtuar dy firma të reja për një dokument të ri. Si mund t’ju besojnë juve qytetarët kur kërkoni zbatimin e ligjit dhe e nisni kërkesën tuaj me shkelje ligji. S’ka ndodhur kurrë Kur këtu ishte Pjetër Arbnori, Skënder Gjinushi, Ilir Mreta, Gramoz Ruçi. S’ka ndodhur kurrë.
Është detyrë e kryetarit të Kuvendit që të vendosë nëse kërkesa plotëson kushtet. Me vjen shumë keq që e zhvilloj këtë debat me ju, mendova se e përmbyllët këtë kërkesë në Konferencën e kryetarëve. Mblidhni firmëtarët dhe natyrshëm; hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale. A i përmbush kërkesa kushtet? Jo, sepse janë plotësuar firmat, se është ngritur Luli nga gjumi dhe ka ardhur. Jo, kërkesën bëjeni nga fillimi”, tha Balla. “Të na japë Taulant Balla, leksione?
Duhet të ikim me vrap” ishte përgjigja e Gazment Bardhit, më pas theksoi se Edi Rama e refuzon këtë komision, pasi një ministër rrezikon burgun. “Në 24 maj, konferenca e kryetarëve rrëzoi kërkesën e parë të PD-së me pretekstin se Agron Duka ishte tërhequr nga kjo kërkesë. Ju e rrëzuat kërkesën në kundërshtim me ligjin pas nga 35 firma ngelën 34. Sipas pikës 2 të nenit 5 të ligjit për komisionet hetimore, mjaftojnë 5 firma të deputetëve që kërkesa për komision hetimor të shqyrtohet nga seanca plenare. Ekzistenca e 35 firma për të ngritur komision.
Nuk ka nevojë për 35 firma që kërkesa të shqyrtohet në seancë plenare. 34 nismëtarët e tjerë të kërkesës për komision hetimor. Kemi paraqitur në datë 27 maj, një kërkesë ku sqarojmë, pasi jemi njohur me tërheqjen e firmës së Agron Dukës, kemi bërë korrigjimin dhe pasqyrimin e këtij fakti në kërkesën e komisionit hetimor. Hartuam një kërkesë të 36 deputetëve të Kuvendit. Është hartuar konform ligjit për komisionet hetimore. I gjithë sqarimi që keni bërë në konferencë kryetarësh, është një justifikim sepse qytetarët janë dëshmitarë se 1 javë përpara se të depozitonim një kërkesë për ngritjen e komisionit, kryeministri tha harrojeni se do ngremë komision hetimor për të hetuar procedurat e investimeve strategjike.
Një deputet i këtij Kuvendi që është një nga ministrat më të rëndësishëm të këtij Kuvendi, rrezikon mandatin dhe së dyti të shkojë në burg. Në kushtet e flagrante të interesit, bashkëshorti i saj ka fituar statusin e investitorit strategjik. Individë anonimë me kompani offshore, kanë përfituar të gjitha projektet për investime strategjike. Pasuri publike janë kthyer në plaçkë ku ministrat ndajnë pronat me njëri-tjetrin. Kryeministri zgjohet në mëngjes dhe përcakton se kujt do t’i japë një copë tokë në bregdet. Dilni këtu dhe nuk dini se çfarë flisni. Zonja kryetare, merr listën e 36 firmëtarëve dhe pyeti kolegët këtu a kanë vullnet për ngritjen e komisionit hetimor”tha Bardhi.
Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj kundërshtoi vendimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla për ta hedhur në votim këtë cështje. “Zonjë, ju lutem qetësohuni pak dhe pyesin dhe administratën tuaj për rregullshmërinë e mbarëvajtjes së seancës. Nuk ka qenë në rendin e ditës kjo pikë deri para 5 minutash. Ka disa rregulla si futet një çështje në rendin e ditës së seancës.
Ju hodhët në votim një çështje pa kërkesë, vendosët mos të futet në rendin e ditës. Keni bërë një gjë me mënd në fakt se kjo çështje kërkon diskutim nga ne që e propozuam. Deputetët duhet të përgatiten. Kështu që ne nuk e kuptojmë këtë ngutjen tuaj. Ne duam ti jepet mundësia të gjithë deputetëve sepse është një çështje që u përket qytetarëve. Të drejtën për diskutim nuk mund të na e hiqni” tha ajo, por socialistët i mbyllën sërish derën komisionit.