Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis zbuloi se vendimi për rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të merret brenda dy javësh.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia Reuters, duke cituar intervistën e Mitsotakis për Politico-n.
“Hapi i parë duhet të jetë një vendim brenda dy javësh në Bruksel për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, deklaroi fillimisht kryeministri grek.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të ofrojë integrimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në union deri në vitin 2033.
Kreu i qeverisë greke e quajti këtë një “hap të guximshëm, por të domosdoshëm”.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nxitur nevojën për të afruar Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Kosovën me BE-në.
Kjo, pjesërisht për të kundërshtuar rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Lidhja mund të përfshijë anëtarësim të plotë ose një komunitet alternativ i propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Një samit BE-Ballkan Perëndimor është planifikuar më 23 qershor.
Nisma e Mitsotakis nënvizoi se si Greqia është përpjekur të rrisë rolin e saj në Ballkan pasi ka dalë nga një krizë financiare që njollosi imazhin e saj.