Mediat britanike i kanë kushtuar hapësirë ndalimit të dy turistëve pak ditë më parë në aeroportin e Tiranës.
Gazeta “Mirror” shkruan se dy britanikët akuzohen për spiunazh nga ana e Shqipërisë, dhe u arrestuan me radio-transmetues në bagazhet e tyre në aeroportin e Tiranës.
Britanikët mohuan spiunazhin, duke pretenduar se ishin inxhinierë IT dhe pajisjet e tyre ishin radio amatore.
“Ata janë marrë në pyetje në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nga oficerët e inteligjencës, më pas dyshja janë kthyer në Britani të Madhe, por mbeten nën hetim nga pala shqiptare” thuhet në shkrimin e gazetës britanike.
“Një burim tha: “Është shumë e pazakontë të mbash këtë lloj pajisjeje dhe akoma më e çuditshme që dikush të ndalohet dhe të akuzohet si agjent i fshehtë” vijon më tej shkrimi.
Dy të dyshuarit u mbajtën për disa orë të ndaluar më 30 maj dhe më pas u lejuan të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar.
Eduard Merkaj, drejtor i Policisë Kufitare u shpreh se “është një hetim në vazhdim dhe po vijojmë këqyrjen e makinerive të sekuestruara”.
Hetuesit dyshojnë nëse pajisjet mund të regjistrojnë ose të ndërhyjnë në valët analoge të radios të përdorura nga ushtria dhe shërbimi sekret i vendit.