Ditën e sotme 33 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Provimi nis në orën 10:00 dhe mbyllet në 12:30. Nxënësit kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet 2 orë e 30 minuta.
Përpara se të futen në provim nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete si dhe mjetet shkollore të nevojshme.
Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim.
Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.
Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit.
Më datë 9 qershor maturantët dhanë provimin e gjuhës së huaj, ndërsa më datë 17 qershor është ai i matematikës dhe me 24 provimi i lëndës me zgjedhje.