Indeksi i çmimeve të prodhimit, në tremujorin e parë të vitit 2022, arriti 118,3 duke shënuar një rritje me 17,0 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vitit pararendës.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, ai shënoi rritje me 12,5 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021.
Kështu ka rezultuar nga një raport i fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Ndryshimi vjetor
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, rritja me e madhe e çmimeve prej 28,5 për qind vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” pasuar nga seksionet “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 22,4 për qind.
Në seksionin “Industri përpunuese”, indeksi ka shënuar rritje me 15,4 për qind.
Brenda këtij seksioni, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 26,8 për qind, pasuar nga aktivitetet “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 24,8 për qind dhe “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 22,8 për qind.
Nga ana tjetër, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Prodhimi i paisjeve elektrike” me 1,9 për qind, pasuar nga seksionet “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 1,9 për qind dhe “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 1,6 për qind.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas
Indeksi, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, shënoi rritje me 14,4 për qind.
Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri Përpunuese” me 19,0 për qind, pasuar nga seksioni “Industria Nxjerrëse” me 18,4 për qind, seksioni “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 11,8 për qind dhe seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,7 për qind.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, indeksi shënoi rritje prej 25,9 për qind.
Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar”, pasuar nga seksioni “Industri Nxjerrëse” me 38,2 për qind, seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 21,7 për qind dhe seksioni “Industria Përpunuese” me 10,5 për qind.