Policia e Tiranës ka arrestuar një 39-vjeçar në kuadër të operacionit “Username”.
E. M. u arrestua pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A. V., se ai hapte llogari në rrjetet sociale me të dhënat dhe fotot e saj personale.
Shtetasi në fjalë gjithashtu ishte dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Njoftimi i policisë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Username”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Kompjuterik.
Përdorte të dhënat e shtetasve të tjerë për të hapur llogari false në rrjete sociale, vihet në pranga 39-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kompjuterik në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A. V., se një shtetas hapte llogari në rrjetet sociale me të dhënat dhe fotot e saj personale, në mënyrë të vazhdueshme, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Username” u ndalua, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, shtetasi:
– E. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se ky shtetas ka hapur në mënyrë të vazhdueshme, llogari false në rrjetet sociale, me gjeneralitetet dhe fotot e shtetasve të tjerë.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.