Plani i qeverisë së Britanisë së Madhe për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda është anuluar në minutën e fundit pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e ka dënuar këtë nismë.
Deri në shtatë persona që kishin mbërritur në Britani për të kërkuar strehim pritej të largoheshin në vendin e Afrikës Lindore një orë e gjysmë përpara se fluturimi të nisej.
Mes tyre një azilkërkues shqiptar dhe viktimë e dyshuar e trafikimit ka thënë për TheGuardian se ishte në një “gjendje shumë të keqe mendore” teksa po priste të hipte në fluturimin e deportimit për në Ruanda, një vend për të cilin ai tha se nuk di “asgjë”.
Media britanike shkruan se 26-vjeçari shqiptar ishte një prej shtatë azilkërkuesve që nisën sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore. Pjesa tjetër përfshijnë tre iranianë, një azilkërkues irakian dhe një vietnamez, të cilët mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në mes të majit.
Ndërkohë djali shqiptar tha: “Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Më trafikuan në Francë. Nuk e dija se në cilin vend po më çonin”.
Ai tha se kur e hipën në një varkë të vogël në Francën veriore, iu dha të kuptonte se trafikantë të tjerë do ta prisnin kur të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar.