Prej ditës së djeshme dhe deri të premten avokatët janë në bojkot total të gjyqeve për shkak të kundërshtimit të hartës së re territoriale. Kreu i Dhomës së Avokatëve, Maks Haxhia paralajmëroi se avokatët që do të dalin kundër do t’u hiqet licenca.
Por në ditën e dytë uniteti është thyer. Avokati Saimir Visha është kundër vendimit të Dhomës së Avokatisë për të bojkotuar seancat gjyqësorë pas miratimit nga KLGJ i hartës së re gjyqësore, e cila redukton ndjeshëm numrin e gjykatave të shkallës së parë dhe Apelet.
“Pajtohemi me shqetësimin që kanë të gjithë kolegët tanë por mendoj se greva nuk është mjeti për të realizuar qëllimin. Dhoma e Avokatëve i ka të gjitha mundësitë, mjetet e aksesin për tu drejtuar në Gjykatën Kushtetuese.
Ne me grevën nuk nënkuptojmë të jenë ditë pushimi. Do u përgjigjem interesave të klientëve tanë që kanë paguar për të marrë shërbimin. Rruga nuk është zgjidhje. Ka vend që Dhoma e Avokatisë të bashkëpunojë me KLGJ. Ka vend për shqetësim por mjeti më i mirë është ankimimi në Kushtetuese” deklaroi ai.