Sot u sekuestrua në Korçë hoteli luksoz “Tree” në pronësi të një gruaje 60-vjeçe, por që pas qëndronte Erion Demolli. Pasuria është vlerësuar 150 mln lekë dhe tashmë ndodhet nën sekuestro me dyshimet se është ndërtuar me pasuri të ardhura nga trafiku i drogës. “5pyetjet.al” sjell fotot brenda hotelit luksoz dhe përse është dënuar Demolli. Në 2019 u godit grupi kriminal ku bënte pjesë së bashku me 23 persona të tjerë.
Hetimet e shtrira në një periudhë 3-vjeçare (2016-2019) zbuluan skemën e grupit kriminal. Në Holandë sigurohej fara e kanabisit, më tej kalonte tranzit në Greqi, dhe me ardhjen në Shqipëri bëhej edhe përpunimi në laboratorë të posaçëm për kultivimin e lëndëve narkotike. Më tej, droga trafikohej në Greqi, Turqi dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.
Hetimi i Prokurorisë u finalizua me operacionin e fundit policor “Limit” me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë), ku u arrestuan 24 persona në total, 34 arrestime u bënë në Greqi.