Nga Ylli Pata
Mbështetës mediatikë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, tentuan dje të bënin groteske përfaqësimin e ambasadores Yuri Kim në Konferencën Kombëtare antikorrupsion.
E siç e kanë bërë prej vitesh, e krahasojnë edhe me përvojën me ambasadorin Donald Lu, sot një zyrtar i lartë i DASH, që si diplomat në Tiranë arriti të shtyjë miratimin e reformës në drejtësi.
Reformë, që realisht është epokale, pasi ka në bazë të saj, mbështetjen e fortë të Perëndimit për hetimet dhe ndëshkimet penale ndaj mafias shqiptare dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Ambasadorja Yuri Kim, dje ka dhënë një mesazh shumë të fortë, ndoshta më të fortin që ka lëshuar deri më sot një zyrtar i qeverisë së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë.
Duke bërë një pyetje retorike, ambasadorja Kim tha: “Ju jeni në një çast kritik të historisë suaj. Duhet të vendosni praktikisht se në cilin drejtim do të shkoni: do të shkoni përpara apo prapa? Kush do zotërojë vendin tuaj? Do ta zotërojë krimi i organizuar, vetëm oligarkët, apo do të kenë edhe njerëzit e zakonshëm mundësinë për të fituar, për të zotëruar prona, për t’i zhvilluar pronat, e për t’u pasuruar. Ju duhet të vendosni”.
Një deklaratë bombë, më e forta që ka ndodhur deri tani, e që realisht në këtë rast nuk i drejtohet organeve të hetimit, nuk i drejtohet SPAK apo BKH-së, të cilët SHBA i mbështet nga afër, financiarisht, me ekspertizë dhe logjistikë.
Ishte një deklaratë që i drejtohej ekzekutivit; krejt qartë! Në thelb është deklarata që i ndjeri Paolo Borselino, prokuror antimafia i Palermos e bëri pas vrasjes së shokut e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Giovani Falcone në masakrën e Capacit të 23 majit 1992.
Prokurori Paolo Borselino, shkoi shumë më tej në hetime dhe qëndrimet e tij, ku bëri të ditur se Falconen nuk e kanë vrarë ca kriminelë të cmendur si Toto Riina apo Bernardo Provenzano, krerë të Cosa Nostra-s dhe grupit të korleonezëve.
Ai foli për “mafian e jakave të bardha”. Njerëzit e politikës që merrnin oksigjen nga politika dhe janë realisht ndaluesit më të mëdhenj dhe “minuesit më të mëdhenj” të drejtësisë për hetimet ndaj mafias.
Kur më 19 korrik 1992, pra dy muaj pas masakrës së Capaci-t, ndodhi masakra e Via D’amelios, ku Paolo Borselino u vra nga një makinë bombë e vënë pranë pallatit ku jetonte nëna e tij, në kaosin e shpërthimit, u paraqitën disa njerëz me pushtet dhe morën “bllokun e kuq” të Borselinos, ku thohet se ishin shënuar urdhërdhënësit e vërtetë e masakrës së Capacit, pra vrasjes së Falcone-s. E që ishin shumë lart, me lidhje në politikë e struktura të shtetit.
Borselino u vra, duke e ditur se do t’i ndodhte një gjë e tillë, madje e ka thënë në një intervistë për disa gazetarë të televizionit public francez pak ditë para atentatit. Ngaqë kishte prekur sfera të larta.
Por sot, këto sfera të larta, i ka prekur qeveria e SHBA, me të cilën nuk mund të bëjë askush shaka, jo thkesht mafia shqiptare, por ato sfera të larta, për të cilët ambasadorja amerikane ka folur fort, shumë fort. Fjala e ambasadores natyrisht që ka shumë fakte brenda, fakte flasim në aspektin penal, por edhe një paralajmërim që duket se është drastik ndaj dy kategorive, krimit të organizuar dhe oligarkëve. SHBA dukshëm ka lëshuar një ultimatum që në prapaskenë ka një know how të dorës së parë.
Ajo është një deklaratë e fortë antimafia, që duket se paralajmëron edhe aksione të tjera, që siç e kemi parë qeveria e SHBA i ka marrë energjikisht në SHqipëri. Për të identifikuar dhe ndëshkuar ata persona “të së shkuarës” që kanë marrë në duar pronat dhe trojet e këtij vendi. Që sipas SHBA, duhet t’i marrin njerëzit e thjeshtë: “as krimi i organizuar e as oligarkët”. Po kush i ka në duar pronat më të rëndësishme në vend?
Kjo natyrisht edhe pse mund të mbulohet me shfaqe groteske, tashmë dihet qartë; jemi në një stad të avancuar kur SHBA ka hapur “Kutinë e Pandorës” së trojeve të grabitura në bregdet për vite e vite. Nga njerëzit e lidhur me “të shkuarën”, por edhe me të sotmen. Natyrisht ajo që tha ambasadorja Kim është thjesht ajo që njerëzit duan të thuhet nga nivele kaq të qarta. E që sipas gjasave priten edhe veprime të forta…