Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, veteranët, invalidët, disa prej të cilëve ende mbajnë në trup copëza granatash e plumbash, sot do të protestojnë.
Të mbledhur pranë Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, ata po kërkojnë t’u njihet e drejta për të gëzuar shumën e pagës minimale në Kosovë.
Mos përfshirja e kësaj kategorie në Projektligjin për Pagën Minimale, ata i ka revoltuar shumë duke i bërë të ndihen të diskriminuar.
Nga ora 9:30, ata do të mblidhen para objektit të Kuvendit e Qeverisë për të kërkuar këtë të drejtë të tyre.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të 14 qershorit, votuan në lexim të parë Ligjin për pagën minimale, i cili la jashtë kategorinë e veteranëve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Pro këtij projektligji ishin 68 deputetë, përfshirë edhe Listën Serbe, kundër nuk kishte e abstenuan gjashtë. Deputetët që abstenuan ishin nga Grupi multietnik.
Këtë ditë veteranët nuk protestuan, por para se kjo të ndodhte ata u kërkuan që të mos e votojnë.
Policia e Kosovës është mobilizuar edhe me njësinë e snajperistëve për të përcjellë protestën e veteranëve që po kundërshtojnë projektligjin e pagës minimale.
Ata janë duke vëzhguar nga objekti i Kuvendit të Kosovës. Veteranët nga shumë anë të Kosovës janë mbledhur para Kuvendit dhe pritet që të fillojë protesta e organizuar nga OVL e UÇK-së.